Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha ka reaguar sërish në lidhje me një deklaratë të tij të më hershme gjatë ditës së sotme, ku u shpreh se ‘Marrëveshja me Melonin nuk do rinovohet’, duke iu referuar protokollit me Italinë për kapet e refugjatëve në Gjadër.
Në një reagim të X, Hoxha shprehet se deklarata e tij lidhet me pyetjen e një gazetari në Bruksel dhe se përgjigjia e tij është se ‘nuk bëhet fjalë për një vendim, por thjesht për një reflektim të çastit, të shprehur me sinqeritet dhe spontanitet’.
Me pak fjalë, kryediplomati shqiptar pranon se nuk e ka diskutuar me kryeministrin Edi Rama dhe nuk ‘ka marrë leje’ për këtë deklaratë të dhënë për gazetarin në Bruksel.
‘Kjo deklaratë nuk duhet në asnjë mënyrë të interpretohet si një ndryshim i qëndrimit të Shqipërisë në lidhje me protokollin’, shkruan Hoxha.
Postimi i plotë në X:
Një sqarim i nevojshëm: Një gazetar në Bruksel më pyeti nëse protokolli ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë do të rinovohej pas përfundimit të periudhës fillestare pesëvjeçare.
Unë iu përgjigja duke thënë: “Nuk jam i sigurt, duke supozuar se deri atëherë Shqipëria do të jetë një shtet anëtar i Bashkimit Evropian dhe situata, për rrjedhojë, do të jetë ndryshe.” Ka qenë kaq e thjeshtë. Nuk bëhet fjalë për një vendim, por thjesht për një reflektim të çastit, të shprehur me sinqeritet dhe spontanitet.
Kjo deklaratë nuk duhet në asnjë mënyrë të interpretohet si një ndryshim i qëndrimit të Shqipërisë në lidhje me protokollin. Fatkeqësisht, në botën e sotme, zhurma shpesh përhapet më shpejt sesa argumenti, logjika dhe konteksti.
Shprehje të shkëputura nga konteksti shndërrohen shumë shpesh në narrativa që nuk pasqyrojnë as thelbin e diskutimit dhe as qëndrimin real të qeverive.







