Ballina Ekonomia Shqipëria skenë filmash, propozohet rimbursim 35% për produksionet ndërkombëtare

Shqipëria skenë filmash, propozohet rimbursim 35% për produksionet ndërkombëtare

78
0

Qeveria ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin e ri “Për kinematografinë dhe audiovizualin”, i cili synon të krijojë një skemë të re mbështetjeje financiare për industrinë filmike dhe audiovizuale në Shqipëri.

Drafti parashikon ngritjen e Agjencisë Kombëtare të Kinematografisë dhe Audiovizualit, AKKA, e cila do të administrojë fondet publike për sektorin, do të certifikojë shpenzimet dhe do të menaxhojë skemat mbështetëse për produksionet filmike dhe audiovizuale.

Një nga elementët kryesorë të projektligjit është skema e “Cash Rebate”, përmes së cilës shteti do të rimbursojë një pjesë të shpenzimeve të kryera në territorin shqiptar nga produksionet filmike dhe audiovizuale. Drafti përcakton se “norma e rimbursimit është 35% e shpenzimeve të kualifikuara të realizuara në territorin e Republikës së Shqipërisë”.

Sipas projektligjit, skema synon të tërheqë investime në sektorin kinematografik dhe audiovizual, të nxisë zhvillimin e industrisë vendase dhe të promovojë Shqipërinë si destinacion për prodhime ndërkombëtare. Përfituese të skemës do të jenë shtëpitë kinematografike të huaja që kanë marrëveshje bashkëpunimi me kompani të regjistruara në Shqipëri dhe që realizojnë shpenzime në vend.

Projektligji përcakton edhe procedurën dhe afatet për përfitimin e rimbursimit. Komisioni Shqiptar i Filmit do të vlerësojë pranueshmërinë e aplikimit dhe kualifikimin e shpenzimeve brenda 45 ditëve nga aplikimi, ndërsa Komisioni Financiar i AKKA-së do të shqyrtojë raportin financiar dhe do të lëshojë certifikatën e shpenzimeve të kualifikuara brenda 60 ditëve nga dorëzimi.

Pagesa nga Ministria e Financave parashikohet të kryhet brenda 90 ditëve nga certifikimi përfundimtar. Një tjetër element i draftit është krijimi i një fondi të dedikuar për industrinë audiovizuale, i cili do të financohet pjesërisht nga subjektet e sektorit mediatik dhe të komunikimeve elektronike.

Sipas projektligjit, 5% e masës së tatimit mbi fitimin që paguajnë subjektet që ofrojnë transmetim audiovizual, platformat online dhe operatorët e kinemave do të kalojë në fondin e AKKA-së. E njëjta normë prej 5% parashikohet edhe për kompanitë që ofrojnë shërbime interneti, ndërsa operatorët e komunikimeve elektronike do të kontribuojnë me 2% të tatimfitimit.