Një dokument i deklasifikuar i CIA nga viti 1952 ka rikthyer në qendër të vëmendjes një nga teoritë më të diskutueshme të arkeologjisë: ekzistencën e një strukture apo biblioteke të fshehtë nën Sfinksin e Madh të Gizës. Sipas materialit arkivor, në një katalog fotografik të epokës së Luftës së Ftohtë përmendet një shënim i shkurtër që i referohet një “tempulli nën Sfinks”, detaj që ka nxitur sërish debatet mbi të ashtuquajturën “Salla e të Dhënave” – një strukturë legjendare që disa teori e përshkruajnë si arkiv i një qytetërimi të humbur.
Dokumenti, i cili duket më shumë si regjistër arkivor sesa raport inteligjence, përmban lista materialesh fotografike të realizuara në fillim të viteve 1950 dhe i referohet kryesisht ekspeditave dhe studimeve në zona të ndryshme, përfshirë Afganistanin dhe rajone arkeologjike. Megjithatë, fraza “Tempulli nën Sfinks” ka mjaftuar për të ndezur komunitetet online dhe teoritë konspirative, të cilat prej dekadash pretendojnë ekzistencën e një arkivi të fshehtë poshtë monumentit të famshëm egjiptian.
Ideja e “Sallës së të Dhënave” lidhet edhe me shkrimet e parashikuesit amerikan Edgar Cayce, i cili në vitet 1930 pretendonte se nën Sfinks ndodhej një dhomë e vulosur me tekste të një qytetërimi të lashtë, ndoshta edhe të Atlantidës. Interesi për struktura nëntokësore u rrit ndjeshëm në vitet 1990, kur studime sizmike dhe radarë depërtues zbuluan anomali nëntokësore pranë Rrafshnaltës së Gizës. Megjithatë, shumë arkeologë i kanë hedhur poshtë këto interpretimet si të pasakta ose natyrore.
Egjiptologu i njohur Zahi Hawass ka mohuar vazhdimisht ekzistencën e një “Salle të të Dhënave”, duke deklaruar se Sfinksi është studiuar gjerësisht dhe nuk ka prova për dhoma të fshehura nën të. Pavarësisht kësaj, publikimi i dokumentit të CIA-s ka mjaftuar për të rikthyer në vëmendje një debat të vjetër mes shkencës dhe teorive alternative, duke e bërë sërish Sfinksin një nga monumentet më enigmatike të botës së lashtë.







