Ballina Aktualitet Rihapja e uzinës mekanike në Poliçan, banorët optimistë për ringjalljen e qytetit

Rihapja e uzinës mekanike në Poliçan, banorët optimistë për ringjalljen e qytetit

132
0

Pas vizitës së parë zyrtare të Presidentit ukrainas Volodymir Zelensky në Tiranë, dhe deklaratës së tij mbi një bashkëpunim të mundshëm për bashkëprodhimin e municioneve, uzina mekanike e Poliçanit është rikthyer edhe njëherë në qendër të vëmendjes.

Kryeministri Edi Rama, 24 orë pas deklaratës së Zelenskyt theksoi që me pak investime ambientet e kësaj uzine mund të rikthehen sërish në funksion.

Vetë qytetarët e Poliçanit e kanë mirëpritur si lajm, pasi rihapja e kësaj uzine sipas tyre do të thotë një ringjallje e qytetit.

“Ndërtimi ka filluar në vitin 1963, filluan punimet, më vonë pas 3 vitesh filloi uzina prodhimin. Këtu prodhoheshin municione, fishekë, granata, murtaja. Fillimisht kapaciteti ka qenë 3500 punëtorë sipas projektit kinez, u shtua prodhimi arriti dhe më tepër 3800”, tregon Qemal Kazaferi, ish-shef reparti.

Sikurse pohon Kazaferi, edhe pse ka kaluar 60 vite nga ndërtimi i godinave të uzinës ato janë në gjendje të mirë pasi janë ndërtuar sipas standardeve të duhura.

“Si ndërtime janë të përsosura aty, janë projekte që të rralla i gjen në Europë, ndërtimet janë bërë shumë të fuqishme”, thotë ai.

Inxhinier Ardjan Spaho, aktualisht drejtori i uzinës mekanike të Poliçanit, thekson që ky proces kërkon kohë dhe një vendimmarrje nga strukturat drejtuese për rihapjen e uzinës.

“Mundësia e rihapjes së uzinës  apo uzinave ushtarake në tërësi është një proces që në radhë të parë do të kërkonte do të kërkonte një vendimmarrje në nivele të larta dhe më tej pastaj për të vazhduar me hapat konkretë në përbërje të këtij procesi”, shprehet ai.

Që prej mbylljes së uzinës mekanike, qyteti i Poliçanit ka pësuar një shpopullim të theksuar.

“Përfitimet do të jenë shumë të mira pasi në radhë të parë përfitim kryesor është për t’i thënë stop hemorragjisë që po ndodh në këto vitet e fundit në qytetet industrial të kësaj natyre, pra do të marrë gjallëri përsëri jeta në këtë qytet të vogël, do t’i kthehet jetës apo gjallërisë së mëparshme, si dhe në aspektin social si punësimi dhe shumë avantazhe të tjera”, shprehet ai.

Uzina mekanike e Poliçanit filloi prodhimin e municioneve, në vitin 1967 ndërsa kishte të punësuar rreth 3800 punëtorë.