Ballina Ekonomia Ndryshime në “paqen fiskale”/ Sqarojnë ekspertët: Udhëzimi ka përjashtuar bizneset e vogla

Ndryshime në “paqen fiskale”/ Sqarojnë ekspertët: Udhëzimi ka përjashtuar bizneset e vogla

97
0

Ndonëse në ligj parashikohej që nuk do të kishte kontrolle nga tatimet, udhëzimi i paqes fiskale, i botuar tashmë në Fletoren Zyrtare, sjell disa ndryshime krahasuar me draftimin fillestar të ligjit.

“Ka disa ndryshime ku udhëzimi ka bërë disa kufizime nga ligji. Në udhëzim theksohet se tatimet nuk do të kontrollojnë vetëm për çështjen për të cilën subjekti bën aplikimin e marrëveshjes. Një tjetër ndryshim është se marrëveshja nuk zbatohet për subjektet që kanë qarkullim nën 14 milionë lekë të reja.

Pra, janë përjashtuar bizneset e vogla. Ligji në fillim i adresohej të gjithëve, ndërsa udhëzimi i adresohet vetëm një pjese të tyre. Ky është një udhëzim i rëndësishëm, sepse nga paqja fiskale duhet të përfitojnë të gjithë”, tha Edvin Stefani, ekspert kontabël.

Sipas shembullit të parashikuar në udhëzim, mbi fitimin e vitit paraardhës do të shtohet një marzh prej 18% për vitin pasardhës dhe çdo fitim që kalon këtë prag do të tatohet me vetëm 5%.

E thënë ndryshe, nëse një biznes që aplikon për marrëveshjen, ka deklaruar 5 milionë lekë fitim, atëherë deri në 18% shtesë të vlerës së vitit të kaluar subjekti do të tatohet me 15%, ndërsa mbi këtë prag vetëm me 5%, në këmbim që tatimet të mos ushtrojnë kontrolle për këtë pjesë.

“Marrëveshja nxit që të ketë deklarime shtesë. Çdo biznes, teorikisht, edhe pa marrëveshje ka të drejtë të rideklarojë pasqyrat e tij dhe të paguajë detyrimet përkatëse. Në këtë aspekt, marrëveshja shihet si lehtësi, pasi nuk paguhet 15%, por vetëm 5%”, theksoi Stefani.

Sipas ekspertëve, numri i subjekteve që pritet të aplikojnë për të përfituar nga kjo marrëveshje do të jetë i lartë, pasi në teori shumica e bizneseve kanë kryer evazion fiskal.

“Marrëveshja ndoshta nuk prek 100% të bizneseve, por prek të paktën 99% të tyre, pasi kanë bërë evazion fiskal. Këtë mund ta shohim edhe te llogaritë e ortakëve, që është një detaj teknik për dëgjuesit, por lidhet me mënyrën se si është trajtuar paraja e palegalizuar.

Shumë biznese kanë blerë asete pa dokumentacion të rregullt dhe paqja fiskale do t’u japë mundësi për formalizim”, tha eksperti.

Kur u përfol për herë të parë, paqja fiskale solli debat në opinionin publik dhe rekomandime nga ndërkombëtarët, pasi shihet si një instrument që mund të përdoret edhe për legalizimin e parave informale në vend.