Avokati i Popullit paraqet një raport shqetësues të situatës në burgjet e Shqipërisë.
Në të theksohet se të paraburgosurit qëndrojnë mbi 8 muaj në qeli pa qenë të dënuar.
Numri i lartë i të paraburgosurve ka shtuar në përmasa të mëdha mbipopullimin e burgjeve, ku rekord mban burgui Lezhës, në të cilin ka 65% më shumë persona së kapaciteti normal.
Avokati i Popullit thekson se 5 burgje duhen mbyllur për shkak të kushteve të rënda që cënojnë dinjitetin njerëzor.
Raporti:
Në Lezhë, mbipopullimi i burgjeve arrin 65%. Të paraburgosurit kalojnë mesatarisht më shumë se 8 muaj në qeli pa qenë të dënuar.
Avokati i Popullit ka konstatuar se trajtimi i personave të privuar nga liria në pesë institucione penitenciare të vendit afrohet me standardin e trajtimit degradues. Kjo është një shkelje flagrante e Kushtetutës dhe e detyrimeve ndërkombëtare të Shqipërisë. Gjetjet bazohen në inspektime në 18 IEVP gjatë vitit 2025 dhe në 115 raste ankesash të trajtuara nga institucioni.
“Kur shteti i mban të dënuarit në kushte degraduese, nuk po i ndëshkon, por po i poshtëron. Mbyllja e këtyre pesë institucioneve është detyrim kushtetues,”-tha
Avokati i Popullit, Endrit Shabani.
Tre shifrat kryesore
5 burgje duhen mbyllur: Burrel, Kosovë-Lushnjë, Kukës, “Mine Peza” (302), “Jordan Misja” (313).
65% mbipopullim në IEVP Lezhë, 181 të burgosur mbi kapacitetin e planifikuar.
253 ditë mesatarja e qëndrimit në paraburgim, pra më shumë se 8 muaj në qeli pa qenë i dënuar.
Realiteti njerëzor pas shifrave
Në shumicën e institucioneve, të dënuarit dhe të paraburgosurit i mbajnë rrobat dhe sendet personale në qese plastike, sepse nuk ka dollapë. Mjeku është prezent vetëm katër orë në ditë. Spitalet rajonale shpesh refuzojnë trajtimin e të burgosurve për “arsye sigurie”. Për personat me probleme të shëndetit mendor nuk ekziston asnjë institucion i specializuar mjekësor, megjithëse ata aktualisht mbahen në IEVP-në e Shën Kollit.
Gjatë vitit 2025, Avokati i Popullit ka trajtuar 115 raste të paraqitura nga të burgosur dhe familjarët e tyre.
Mbipopullimi, i lokalizuar, jo kombëtar
Në total, sistemi penitenciar është nën kapacitet (5.029 të burgosur dhe 5.747 vende gjithësej = 87%). Por shpërndarja është thellësisht e pabarabartë:
IEVP Lezhë: +65% (181 persona mbi kapacitet)
IEVP “Jordan Misja”: +11% (55 persona)
IEVP Vlorë: +10% (16 persona)
IEVP Fushë-Krujë: +2,4% (9 persona)
56,8% e popullsisë penitenciare janë në paraburgim, pra mbahen në burg megjithëse ende janë të padënuar. Ky është një tregues që cenon parimin e prezumimit të pafajësisë.
Kushtet që cenojnë dinjitetin
Inspektimet kanë konstatuar:
Ambiente të amortizuara, pa ajrim, ndriçim apo ngrohje të mjaftueshme.
Të burgosur që mbajnë sendet personale në qese plastike sepse nuk ka dollapë.
Mungesë e produkteve bazë të higjienës dhe detergjentëve për pastrimin e qelive.
Sisteme ngrohjeje e ftohjeje jofunksionale, sidomos në mot ekstrem.
Mungesë larmishmërie dhe sasie të pamjaftueshme në ushqim.
Mundësi të kufizuara për aktivitete social-kulturore dhe rehabilitim.
Kujdesi shëndetësor: reagim ndaj emergjencave, jo shërbim i vazhdueshëm
Asnjë mjek me kohë të plotë në shumicën e IEVP-ve. Aty ku ka mjek, qëndrojnë vetëm 4 orë në ditë.
Mungesë autoambulancash dhe vështirësi për konsulta me specialistë.
Spitalet rajonale refuzojnë trajtimin për “arsye sigurie”.
Mungesë e shërbimit stomatologjik dhe e medikamenteve bazë.
Asnjë institucion i specializuar për të burgosurit me probleme të shëndetit mendor.
Çfarë kërkon Avokati i Popullit
Avokati i Popullit i kërkon Qeverisë dhe Ministrisë së Drejtësisë:
Rishqyrtim të politikës së paraburgimit. 56,8% të padënuar është një shifër e papranueshme në një shtet që pretendon respektimin e prezumimit të pafajësisë.
Plan të menjëhershëm për kujdesin shëndetësor në burgje, përfshirë ngritjen e një institucioni të specializuar mjekësor për të burgosurit me probleme të shëndetit mendor.
Mbyllje të pesë IEVP-ve të identifikuara deri në rikonstruktimin e plotë të tyre, dhe një rivlerësim kombëtar të kapaciteteve të sistemit penitenciar.







