Ballina Opinion Identiteti nuk merret me leje

Identiteti nuk merret me leje

32
0

Nga Luçiano Boçi 

Ka diçka thellësisht absurde në Ballkanin gjoja modern.

Sa herë shqiptarët kërkojnë të flasin shqip në institucionet publike, dikush sillet sikur ata po kërkojnë të rrëzojnë shtetin.

Në vend që të trajtohen si qytetarë me të drejta të barabarta, shpesh trajtohen si komunitet që duhet të justifikojë ekzistencën e vet politike, kulturore dhe gjuhësore.

Dhe kështu, në vitin 2026, studentë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut detyrohen të protestojnë për një pyetje që duhej të ishte zgjidhur dekada më parë.

A kanë të drejtë të përdorin gjuhën e tyre në jetën akademike dhe profesionale?

Vetë pyetja është alarmante.

Sepse askush nuk proteston për luks.

Askush nuk del në rrugë për simbolika boshe. Protesta lind kur ekziston bindja se një e drejtë po njihet në letër, por po pengohet në praktikë. Pikërisht kjo po ndodh sot. Shqiptarët nuk po kërkojnë privilegj.

Po kërkojnë koherencë midis Kushtetutës, ligjit dhe realitetit.

Marrëveshja e Ohrit nuk ishte dekor diplomatik për arkivat ndërkombëtare. Ishte kompromis historik për bashkëjetesë reale.

Ligji për përdorimin e gjuhëve nuk u miratua që të ekspozohej në konferenca europiane, por që të zbatohej në universitete, administratë dhe institucione publike.

Nëse shqipja lejohet vetëm kur nuk shqetëson askënd, atëherë nuk kemi të bëjmë me barazi, por me tolerancë të kontrolluar.

Dhe këtu nis problemi i vërtetë pasi shumë sisteme në Ballkan ende e shohin identitetin shqiptar si diçka që duhet administruar, kufizuar, balancuar apo mbajtur “nën kontroll”.

Sa herë shqiptarët kërkojnë zbatim të të drejtave të tyre, prodhohet e njëjta atmosferë nervozizmi publik.

I ngjan bllokuesve sikur vetë ekzistenca e barazisë qenka kërcënim për shtetin.

Por një shtet nuk dobësohet nga gjuha e qytetarëve të vet.

Dobësohet nga frika ndaj saj.

Një shtet serioz nuk trembet nga shqipja në auditorë, në administratë apo në provime profesionale.

Përkundrazi, ai e konsideron këtë si provë të pjekurisë demokratike. Vetëm shtetet e pasigurta e shohin diversitetin si problem sigurie.

Në fund të fundit, çfarë kërkojnë studentët shqiptarë?

Të mos detyrohen të lënë identitetin jashtë derës së institucionit e të mos trajtohen si popullsi që duhet të kërkojë leje për të qenë vetvetja.

Kjo nuk është kërkesë radikale por minimum demokratik.

Sepse identiteti nuk jepet nga qeveritë, nuk vuloset nga burokracia, nuk miratohet nga shumica politike.

Ai ekziston.

Dhe sa herë shteti përpiqet ta trajtojë si privilegj, prodhon vetëm zemërim, mosbesim dhe distancë. Historia e Ballkanit është mbushur me regjime që menduan se mund të administrojnë identitetet e njerëzve.

Sot ato ekzistojnë vetëm në librat e historisë. Gjuhët dhe popujt mbetën.

Ky është mësimi që rajoni ynë “modern” vazhdon të refuzojë ta mësojë.