Situata e lirisë së shtypit në Shqipëri çdo ditë merr një goditje të re. Është dhunuar në Shkodër gazetari Ervin Dushi nga pronari i një rrjeti supermarketesh. Dhuna, sipas deklarimeve të gazetarit, ka lidhje me detyrën që ushtron prej vitesh.
Dushi është sulmuar nga Prek Gjoni dhe njerëzit e tij, të cilët e kanë goditur në kokë dhe në pjesë të ndryshme të trupit. Ai ka bërë denoncimin për ngjarjen në Policinë e Shkodrës, së cilës i bëjmë thirrje të zbardhë ngjarjen sipas fakteve.
Një tjetër kërcënim ndaj gazetarëve dhe dhunim i fjalës së lirë ka ndodhur sot në dyert e Prokurorisë së Posaçme, SPAK. Agron Tare, ish-zëvendësministër i Jashtëm, i vënë nën hetim për lidhje biznesi me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, ka kërcënuar gazetarin e SYRI TV, Fatjon Gjinaj.
Gjinaj, i cili ishte në krye të detyrës, po filmonte daljen e Tares nga SPAK, ku është përballur me kërcënime dhe dhunë verbale. Tare ka pretenduar se nuk duhej të regjistrohej pasi nuk ishte “funksionar publik”, por në fakt ai është jo vetëm funksionar publik, por edhe personazh publik, pikërisht për lidhjet me pushtetin.
Dhuna ndaj gazetarit Dushi dhe kërcënimet ndaj gazetarit Gjinaj tregojnë fytyrën e vërtetë të këtij regjimi, ku në mungesë të shtetit, biznesmenë apo oligarkë të lidhur me pushtetin sulmojnë dhe dhunojnë ata që janë në mbrojtje të fjalës së lirë.
Kur një biznesmen vendos të ngrejë dorë mbi një gazetar në mes të rrugës dhe para qytetarëve, kur një ish-zëvendësministër kërcënon një gazetar në dyert e SPAK, kjo tregon se ata ndihen të paprekshëm dhe të mbrojtur nga policia dhe drejtuesit e pushtetit. Por as dhuna, as presioni dhe as intimidimi nuk do të mund të heshtin ata gazetarë që vazhdojnë të qëndrojnë në anën e së vërtetës. Ata kane mbështetjen e palëkundur të Partisë Demokratike







