Ballina Politika Te enjten seancë plenare, zbardhet rendi i ditës, ja çështjet që pritet...

Te enjten seancë plenare, zbardhet rendi i ditës, ja çështjet që pritet të diskutohen

31
0

Seanca plenare që do të zhvillohet të enjten e 21 majit pritet të jetë e tejmbushur me interpelanca. Plot 10 të tilla.

Në drejtim të kryeministrit Edi Rama janë kërkuar 2 interpelanca, një nga Partia Demokratike dhe tjetra nga deputetët e Partisë Mundësia, Agron Shehaj dhe Erald Kapri.

PD kërkon nga Rama një përgjigje mbi situatën demografike të Shqipërisë sipas të dhënave që disponon qeveria, duke ngritur shqetësimin e emigrimit të shqiptarëve. Ndërsa Partia Mundësia kërkon nga kreu i qeverisë shpjegime për ndryshimet në funksionimin e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare (DSHQ), duke i dhënë kësaj të fundit të drejtën për të negociuar dhe lidhur kontrata me kompani ajrore, rrjete hoteliere dhe agjenci udhëtimi nën klauzola konfidencialiteti.

Më së shumti, interpelanca janë kërkuar nga opozita me ministren e Shëndetësisë, Evis Sala, nga deputetët Sajmir Korreshi, Erisa Xhixho dhe Erald Kapri.

Me ministrin e Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçin, ka kërkuar 2 interpelanca socialisti Erion Braçe. Një interpelancë për për cilësinë e materialeve të ndërtimit, posaçërisht për fasada dhe instalime të brendshme në godina banimi, dhe një interpelancë tjetër për statusin aktual të projektit “Përmirësimi i sistemit të kanalizimeve për Tiranën e Madhe” financuar përmes marrëveshjes së huasë me Agjencinë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), të nënshkruar në vitin 2008.

Një interpelancë është kërkuar nga ligjvënësit Erald Kapri dhe Agron Shehaj me ministrin e Bujqësisë Andis Salla. Me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaron, përballje kërkon deputetja Ina Zhupa.

Ndërsa me ministrin e Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, interpelanca kërkohet nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike, për emigracionin ilegal dhe trafikut të qenieve njerëzore gjatë dy viteve të fundit në vend, dhe masat konkrete të marra për forcimin e kufijve tokësorë dhe detarë.

Përveç 10 interpelancave, në Kuvendin e Shqipërisë pritet të votohen të enjten:

Projektvendim “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 166, datë 16.12.2004, “Rregullorja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”

Projektligj “Për ratifikimin e kontratës financiare, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për punimet e infrastrukturës bashkiake për projektin “Porta e Alpeve

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 72/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 29/2024, “Për burimet ujore”, të ndryshuar”