Kandidati i përjashtuar nga gara për kreun e Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i është drejtuar me një letër grupimit të Partive Popullore Europiane, ku shpreh shqetësimin për bllokimin e garës, mosrespektimin e statutit të partisë dhe përjashtimet arbitrare të kandidatëve.
Në letrën e tij, Salianji thekson se në Partinë Demokratike po asgjësohen standardet demokratike dhe pluralizmi i brendshëm.
Këto zhvillime i komentoi analisti Rezart Kthupi, i cili, i ftuar në një studio televizive deklaroi se Partitë Popullore Europiane mbeten “e vetmja derë e hapur” për Sali Berishën.
Sipas tij, qëllimi i Berishës me pengesat e krijuara është të mos lejojë krijimin e figurave të reja brenda Partisë Demokratike.
Më tej, Kthupi komentoi edhe aspektin ligjor të procesit, duke thënë se ekziston mundësia që Gjykata të pezullojë përkohësisht procesin e zgjedhjeve në parti pas padive te bëra, deri në shqyrtimin në themel të çështjes.
“Partitë popullore evropiane janë e vetmja derë e hapur e Sali Berishës, është një grupim, i cili e toleron Sali Berishën për shkak se ligjërisht ai është kryetari i partisë. Në nivelin politik, takimet që ky grupim ka patur me Sali Berishën është shumë i pakët. Qëllimi është të mos lejojë që të fillojë asnjë filiz i ri në Partinë Demokratike. Ajo që kërkon Berisha është një grumbullim bensikësh. Në PD nuk ka për qëllim të ndryshojë liderin.
Mundësia është që Gjykata mund ta pezullojë përkohësisht procesin, për sa kohë sa çështje do shqyrtohet në themel. Zbatimi i takon PD. Neni Basha nuk lejon Berishën të kandidojë. Referendumi në PD synon të heqë neni Basha”, tha Kthupi.







