Ballina Aktualitet Çmimet e pronave në jug, drejt rekordit të ri/ Himara dhe Vlora...

Çmimet e pronave në jug, drejt rekordit të ri/ Himara dhe Vlora pritet të përfitojnë nga vala e re e investimeve

67
0

Disa nga zonat më të njohura të Shqipërisë do të vijojnë të shënojnë rritje të fortë të çmimeve të pronave gjatë viteve të ardhshme. Zhvillimi i turizmit, investimet në infrastrukturë dhe rritja e interesit nga blerësit e huaj po e bëjnë tregun shqiptar të pasurive të paluajtshme një nga më dinamikët në rajon.

Në fokus të studimit nga Investropa janë zonat bregdetare të jugut të cilat konsiderohen me potencial të lartë për investim. Sipas Investropa, Lungomare dhe Uji i Ftohtë në Vlorë pritet të regjistrojnë rritje vjetore të çmimeve nga 10% deri në 15%, kryesisht falë Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Aeroporti pritet të përmirësojë ndjeshëm aksesin drejt rivierës shqiptare dhe të sjellë një fluks më të madh turistësh dhe investitorësh.

Studimi thekson se ndikimi i aeroportit mund të ndryshojë tërësisht tregun imobiliar në jug të vendit. Sipas analizës, zonat pranë projekteve të mëdha infrastrukturore në Shqipëri historikisht kanë shënuar rritje çmimesh nga 15% deri në 30% brenda pak viteve pas përfundimit të investimeve.

Ndërkohë, Orikumi dhe Radhima cilësohen si “unaza e dytë” e rivierës shqiptare, ku çmimet e pronave mund të rriten me 8% deri në 12% në vit. Këto zona po përfitojnë nga zgjerimi i interesit për Vlorën dhe nga kërkesa në rritje për apartamente dhe vila pranë detit. Edhe Himara mbetet një nga tregjet më premtuese, me rritje të pritshme nga 7% deri në 11%, për shkak të mungesës së tokës së ndërtueshme dhe interesit të lartë për prona buzë bregdetit.

Investropa vëren gjithashtu se tregu shqiptar i pasurive të paluajtshme po mbështetet gjithnjë e më shumë nga turizmi dhe blerësit e huaj. Sipas të dhënave të publikuara në studim, turistët në Shqipëri janë pothuajse dyfishuar krahasuar me periudhën para pandemisë, ndërsa të huajt përbëjnë rreth 24% të transaksioneve të pronave në vend.