Nga Flamur Vezaj
Për vite me radhë, ndërsa në deklarimet zyrtare nuk pasqyroheshin shpenzime të mëdha mjekësore, dokumentet e administruara nga SPAK dhe të siguruara nga “Ma Shqip” tregojnë një panoramë krejt tjetër: udhëtime të përsëritura drejt Austrisë dhe San Marinos, qëndrime në klinika private elitare, ndërhyrje kirurgjikale, transferta, por mbi të gjitha, pagesa të konsiderueshme cash.

Sipas materialit hetimor, SPAK ka kërkuar me letërporosi ndërkombëtare dokumentacion financiar dhe shëndetësor për familjen Meta–Kryemadhi, duke përfshirë fatura, mandat-arkëtime, transferta bankare, karta krediti dhe historik pagesash në klinika jashtë vendit.
Nga dokumentet e ardhura nga Austria rezulton se në mars 2013, familjarë të afërt kanë kryer trajtime në klinikën private “Konfraternitat” në Vjenë. B.Metaj rezulton e shtruar nga 21 deri më 25 mars 2013 me pagesë totale 8.114 euro, ku sipas faturës 6 mijë euro janë parapaguar cash. Në të njëjtën periudhë, Ilir Meta rezulton me trajtim në vlerën 7.341 euro, ku përsëri figuron parapagim 6 mijë euro cash.

Në të njëjtin institucion rezulton edhe Monika Kryemadhi me trajtime të ndara në pagesa 1.474 euro dhe 500 euro. Por sipas SPAK, në deklarimet e interesave private të atij viti nuk rezultojnë të deklaruara këto shpenzime si kategori më vete.
Hetuesit më pas zhvendosin fokusin te ajo që në dosje shfaqet si një destinacion i përsëritur, “Lanserhof” në Austri, një qendër ndërkombëtare për trajtime metabolike, rehabilitim dhe programe të lidhura me kontrollin e peshës dhe ndërhyrjet shëndetësore.
Nga dokumentacioni i ardhur rezulton se Monika Kryemadhi, Ilir Meta dhe B.Metaj kanë qëndruar gjithsej tetë herë në Lanserhof në periudhën 2013–2023, me një faturë totale që sipas dosjes arrin 98.677 euro. Në dokumentet e administruara evidentohet një model i përsëritur: një pjesë e pagesave realizohen me transfertë, ndërsa pjesa kryesore në para në dorë.

Në korrik 2013, Monika Kryemadhi rezulton me faturë 7.258 euro, ku 4 mijë euro janë paguar me transfertë bankare, ndërsa 3.258 euro cash. Në nëntor 2014, Monika rezulton të ketë qëndruar dy javë në Lanserhof dhe sipas dokumenteve ka paguar 10.375 euro cash. Edhe E.Metaj rezulton e mjekuar te Spitali shtetëror në San Marino, të ketë kryer ndërhyrje në 14 qershor 2022, me kosto të raportuar 2.500 euro, sipas dokumentacionit të përmendur.
Në të njëjtin qëndrim, Ilir Meta rezulton me pagesë 7.984 euro, që sipas dosjes është realizuar përmes një transferte të kryer nga M.Alibegaj. Në një email të administruar në hetim, rezervimi konfirmohet me tekstin: “Konfirmojmë marrjen nga llogaria juaj të shumës 7.984 euro…”
Në verën e vitit 2015, sipas faturave të administruara, Monika Kryemadhi rezulton me një tjetër pagesë prej 13.244 euro, ku 6 mijë euro janë transferuar, ndërsa 7.244 euro janë paguar cash. Në të njëjtën periudhë, B.Metaj rezulton me faturë 3.509 euro cash, ndërsa Ilir Meta 4.359 euro cash.

Në janar 2017, rezulton një tjetër qëndrim me pagesë 13.133 euro, ku pjesa më e madhe figuron sërish në para në dorë. Paralelisht me Austrinë, dosja kalon edhe në San Marino, ku SPAK ka administruar dokumentacion për ndërhyrje kirurgjikale dhe trajtime.
Në vitin 2015, Monika Kryemadhi rezulton e shtruar me një faturë prej 11.563 euro për ndërhyrje kirurgjikale. Në vitin 2019, sipas dokumentacionit të spitalit, një tjetër ndërhyrje rezulton me kosto 11.351 euro, të ndarë në 5 mijë euro cash dhe pjesën tjetër me karta krediti.
Në dosje evidentohet edhe rasti i B.Metajt, e cila sipas dokumenteve spitalore është shtruar në repart kirurgjie me diagnozën e cituar në dokumentacion si “obezitet i paspecifikuar”. Kostoja totale e ndërhyrjes rezulton 10.245 euro, e paguar cash.

SPAK ka krahasuar këto pagesa me deklarimet periodike të pasurisë dhe ka evidentuar se një pjesë e tyre nuk janë reflektuar. “Nga verifikimet e kryera mbi deklarimet periodike, SPAK thotë se për vitet 2013, 2014, 2015, 2016 dhe 2019, një pjesë e këtyre shpenzimeve nuk rezultojnë të jenë deklaruar pranë ILDKPKI” theson materiali hetimor.
Në përmbledhjen e dosjes thuhet: “Shtetasit Ilir Metaj dhe Monika Kryemadhi nuk kanë deklaruar në ILDKPKI shpenzimet mjekësore të kryera për periudhën 2013–2019 në vlerën 106.125 euro, nga të cilat 86.891 euro janë paguar cash.”

Në dosje thuhet se, referuar dokumenteve të administruara, SPAK arrin në konkluzionin se shpenzimet e padeklaruara për trajtime mjekësore dhe ndërhyrje për periudhën 2013–2019 arrijnë në 106.125 euro, nga të cilat 86.891 euro rezultojnë të jenë paguar cash.

Nga ana tjeter, materiali hetimor nuk jep një konkluzion penal mbi mënyrën pse është zgjedhur pagesa cash, por hetimi evidenton se pjesa dërrmuese e pagesave nuk rezulton të ketë kaluar në kanale bankare të deklaruara ose nuk është reflektuar në deklarimet përkatëse të interesave private.
“MaShqip” specifikon se pretendimet e mësipërme janë pjesë e akteve hetimore të administruara nga SPAK dhe mbeten objekt i procesit gjyqësor; përgjegjësitë përcaktohen vetëm me vendim të formës së prerë./MaShqip







