Ballina Opinion Nga presidenti i marsit 1997 te kryetari pa rival i majit 2026:...

Nga presidenti i marsit 1997 te kryetari pa rival i majit 2026: historia e një lideri që rizgjidhet gjithmonë para rrëzimit

66
0

Nga Desada Metaj

Zgjedhja e Berishës si kryetar partie në maj 2026 si zgjedhja e Berishës president për mandat të dytë në mars 1997. Asokohe, për t’u rizgjedhur president ai përdori servilizmin e verbër të deputetëve të PD, të dalë nga zgjedhjet e manipuluara dhe të panjohura nga aleati strategjik, ShBA, të majit 1996. Nëse i rikthehesh kronikës televizive të kohës, votimi për president ishte një ceremoni parlamenti pothuaj funebër. Dukshëm qeveria e Meksit dhe institucionet shtetërore kishin filluar dorëzimin përballë trazirave në Jug të vendit. Një nga arsyet në fakt që zgjedhjet e majit këtu e 30 vite të shkuara u manipuluan ishte dhe vullneti i Sali Berishës që të kishte numrin e nevojshëm të deputetëve të PD për të siguruar rizgjedhjen e tij si president. Por pa kaluar një jave, në 9 mars 1997 Berisha “de facto” e dorëzoi pushtetin në tryezën shumë partiake të organizuar në presidencë, për ta dorëzuar zyrtarisht në korrik 1997 me dorëheqje. Në këtë mënyrë ai legjitimoi zgjedhjet e kallashnikovit të 29 qershorit 1997 dhe rimarrjen e pushtetit me dhunë nga komunistët. Pas këtij momenti për të paktën 8 vitet në vazhdim demokratët e lënë pa mbrojtje dhe të tradhtuar e braktisur u përballën me revanshin persekutues të PS, qeverisjes së saj dhe kryeministrave Fatos Nano, Pandeli Majko dhe Ilir Meta.

Sot në 23maj, thuajse 30 vjet më pas, Sali Berisha po organizon zgjedhje tashmë vetëm në oborrin e Partisë, për disa vota që të quhet kryetar, pa guxuar të ketë përballë qoftë edhe një rival të pavlerë. Njësoj si 30 vjet më parë, grupi parlamentar i PD rreshtohet në votim verbtazi, gojëkyçur, pa guxuar asnjeri të flasë apo analizojë. Ata që folën ishin kaq qesharakë sa me gjasë kanë patur turp ta dëgjojnë veten. Është po e njëjta rrethanë, me aleatin strategjik kundër rizgjedhjes, po tashmë në projeksion më të vogël. Vetëm në oborrin e partisë së tij personale. Edhe rezultati nuk do të jetë ndryshe nga ai i marsit të vitit 1997. Do të gëzojë se u rizgjodh në krye të partisë pa asnjë “dezertim” nga radhët.

Ndërkohë opozita ashtu si e kemi njohur deri më sot po shkon “kryelartë” drejt hollimit e këputjes së radhëve, sepse është lënë jo vetëm e pambrojtur, por tashmë është tradhtuar dhe në moral.

Do të duhen vite që të arrihet të riformohet morali dhe forca e denjë për një opozitë dinjitoze, pa asnjë lidhje me PD e sotme. Ndërkohë që e majta e korruptuar thith e fuqizohet çdo ditë nga opozita e sëmurë.

Ta gëzosh kryetarllekun, shpërdoruesi i forcës opozitare në vendin që përjetoi dhunën më të egër komuniste!