Ballina Kronika Mafia ballkanike në Amerikën Latine, media: Si u bënë shqiptarët hallka kyçe...

Mafia ballkanike në Amerikën Latine, media: Si u bënë shqiptarët hallka kyçe e trafikut të kokainës

77
0

Arrestimi së fundmi i shqiptarit Ervin Mata në Brazil, ka rikthyer në qendër të vëmendjes praninë gjithnjë e më të fuqishme të grupeve kriminale ballkanike në Amerikën Latine. Mata, i arrestuar më 26 prill pranë São Paulo-s, dyshohet se shërbente si urë lidhëse mes furnizuesve të kokainës në Amerikën e Jugut dhe blerësve në Evropë për llogari të një organizate kriminale ballkanike që koordinonte dërgesat e drogës drejt porteve evropiane, kryesisht në Spanjë dhe Gjermani.

Rasti i tij është vetëm një episod në një histori shumë më të gjerë që prej vitesh po shqetëson autoritetet ndërkombëtare. Figura të botës së krimit nga Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi janë shfaqur vazhdimisht në hetimet për trafik droge, pastrim parash dhe korrupsion në Amerikën Latine, duke ndërtuar një rrjet të fuqishëm bashkëpunimi me kartelet lokale.

Në dallim nga organizatat tradicionale kriminale latino-amerikane, të cilat kontrollojnë territore përmes dhunës dhe strukturave të forta hierarkike, grupet ballkanike kanë zgjedhur një model më fleksibël dhe më pak të dukshëm.

Ato janë specializuar në logjistikë, koordinim dhe ndërmjetësim, duke u bërë hallka që lidh prodhuesit e kokainës në Ande me tregjet fitimprurëse të Evropës. Në vend që të ndërtojnë “fortesa” kriminale në terren, këto rrjete operojnë përmes aleancave të përkohshme, lidhjeve familjare dhe kontakteve të drejtpërdrejta me prodhuesit dhe grupet lokale në Kolumbi, Ekuador, Brazil dhe Meksikë.

Pikërisht kjo strukturë e decentralizuar, i ka bërë ato më të vështira për t’u goditur nga agjencitë ligjzbatuese.

Emisarët e kokainës

Një nga figurat më të njohura të këtij modeli ishte shqiptari Dritan Rexhepi, emër i njohur për drejtësinë evropiane për shkak të arratisjeve spektakolare nga burgjet në Itali dhe Belgjikë.

Rexhepi konsiderohej një prej figurave kyçe të rrjetit kriminal shqiptar “Kompania Bello”, një organizatë e përbërë nga 14 familje kriminale me aktivitet në Evropë dhe Amerikën Latine. Ai u arrestua në Ekuador në vitin 2014 së bashku me një ngarkesë kokaine.

Por edhe nga burgu dyshohet se vazhdoi të koordinonte dërgesa droge me grupet kriminale kolumbiane dhe ekuadoriane. Sipas autoriteteve evropiane, rrjeti i tij kishte krijuar lidhje të drejtpërdrejta me prodhuesit e kokainës, duke shmangur ndërmjetësit tradicionalë dhe duke rritur ndjeshëm fitimet.

Edhe pse Europol deklaroi në vitin 2020 se “Kompania Bello” ishte çmontuar, disa prej ish-anëtarëve të saj vazhdojnë të përmenden në hetime ndërkombëtare të lidhura me trafikun e kokainës. Një tjetër shembull është “Klani Farruku”, organizatë kriminale shqiptare që dyshohet se koordinonte trafikun e kokainës mes Ekuadorit dhe Spanjës.

Hetimet tregojnë se grupi kishte dërguar emisarë në Guayaquil për të bashkëpunuar me grupet ekuadoriane në eksportin e drogës drejt Evropës. Një prej tyre, Ergys Dashi, u vra në vitin 2022 në qytetin portual ekuadorian, vetëm pak ditë pasi autoritetet spanjolle sekuestruan 2 ton kokainë të lidhura me organizatën.

Trafikantët e pavarur dhe bizneset-fasadë

Jo të gjithë pjesëtarët ballkanikë të krimit në Amerikën Latine, veprojnë nën urdhrat e organizatave të mëdha. Disa prej tyre kanë ndërtuar rrjete të pavarura trafiku, duke krijuar lidhje direkte me prodhuesit e drogës dhe duke përdorur kompani legjitime eksporti si mbulesë për aktivitetet kriminale.

Një nga rastet më të njohura është ai i shqiptarit Dritan Gjika. I vendosur në Ekuador, ku mori edhe shtetësinë ekuadoriane, Gjika ngriti një rrjet kompanish eksporti që tregtonin produkte si bananet, një nga eksportet kryesore të vendit.

Sipas hetuesve, këto kompani përdoreshin për të fshehur dhe transportuar kokainë drejt porteve evropiane. Autoritetet pretendojnë se Gjika kishte krijuar marrëdhënie direkte me prodhuesit kolumbianë dhe me grupet ekuadoriane që kontrollonin portet dhe magazinat e drogës në Guayaquil.

Ai u arrestua në Abu Dhabi në qershor 2025 dhe aktualisht përballet me procedura ekstradimi drejt Ekuadorit për akuza që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Modeli i përdorur nga Gjika është ndjekur edhe nga shqiptarë të tjerë si Adriatik Tresa dhe Arber Çekaj, të cilët ngritën kompani eksporti në Ekuador dhe dyshohet se fshehnin kokainën në dërgesa bananesh drejt Evropës. Tresa u vra në Guayaquil në vitin 2020, ndërsa Çekaj u arrestua në Gjermani në vitin 2018.

Ekspertët e pastrimit të parave

Përveç trafikut të drogës, grupet ballkanike janë bërë aktorë të rëndësishëm edhe në pastrimin ndërkombëtar të parave. Përmes kompanive fasadë, investimeve në pasuri të paluajtshme, kazinove, restoranteve dhe bizneseve luksoze, ato kanë ndërtuar mekanizma të sofistikuar për legalizimin e fitimeve të krijuara nga kokaina.

Sipas prokurorëve ekuadorianë, rrjeti i Dritan Gjikës dyshohet se mes viteve 2015-2024 ka pastruar më shumë se 31 milionë dollarë përmes sistemit financiar të Ekuadorit. Në një tjetër operacion të madh, Departamenti Amerikan i Thesarit vendosi sanksione ndaj 27 individëve dhe kompanive të lidhura me familjen shqiptare Hysa, e akuzuar për drejtimin e një skeme pastrimi parash në bashkëpunim me Kartelin Sinaloa në Meksikë.

Sipas autoriteteve amerikane, rrjeti përdorte kazino dhe restorante luksoze në disa shtete meksikane për të legalizuar fitimet e drogës. Edhe shtetasi serb Jezdimir Srdan u përfshi në hetime të rëndësishme financiare.

Pasi siguroi një lirim të parakohshëm kontrovers nga burgu në Ekuador në vitin 2018 për akuza trafiku droge, ai u arrestua sërish në vitin 2024 dhe u dënua me 10 vite burg për pastrim parash./ Insight Crime