Ballina Politika ‘Deri në 100 mijë pensionistë punë të padeklaruar’, Cara: Pensionet minimale po...

‘Deri në 100 mijë pensionistë punë të padeklaruar’, Cara: Pensionet minimale po i detyrojnë të moshuarit të…

74
0

Deputeti i Partisë Demokratike, Igli Cara, i ftuar në SYRI TV foli për situatën e pensionistëve që vazhdojnë të punojnë në Shqipëri dhe për projektligjin që synon heqjen e detyrimit për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore për këtë kategori.

Gjatë bisedës, Qarri ngriti shqetësimin mbi faktin se mijëra pensionistë punojnë për shkak të pensioneve të ulëta, ndërsa vazhdojnë të paguajnë sigurime dhe kontribute “si të ishin 25 vjeç”.

Cara deklaroi se shifra zyrtare prej 13 mijë pensionistësh të punësuar është shumë më e ulët se realiteti në terren. Ai theksoi se problemi prek kryesisht pensionistët e punësuar në fasoneri, industri të lehtë dhe bujqësi, ku sipas tij niveli i informalitetit është alarmant. Sipas Carës, pensionistët që kanë kontribuar për 35 deri në 45 vite nuk duhet të detyrohen të paguajnë sërish kontribute sigurimesh shoqërore.

Deputeti i PD-së argumentoi se barra aktuale financiare rëndon jo vetëm mbi pensionistët, por edhe mbi punëdhënësit, veçanërisht në kushtet e mungesës së fuqisë punëtore dhe emigracionit të lartë.

Ai sqaroi se projektligji i propozuar nga PD, parashikon një periudhë testuese katërvjeçare dhe synon të nxisë formalizimin e tregut të punës, duke ulur kostot për bizneset dhe duke incentivuar deklarimin e pensionistëve të punësuar. Cara pranoi se ka hasur kundërshtime nga përfaqësues të qeverisë, të cilët argumentojnë se heqja e kontributeve për pensionistët mund të ndikojë negativisht në skemën e pensioneve.

Megjithatë, deputeti demokrat e kundërshtoi këtë argument, duke deklaruar se “nuk mund të justifikohet një padrejtësi me pretendimin se duhet mbajtur në këmbë skema e pensioneve”.

Më tej, Cara theksoi se nisma nuk duhet parë si politike, por si një masë për të nxitur formalizimin dhe për të mbështetur një kategori që, sipas tij, po detyrohet të punojë për shkak të pensioneve minimale.

Igli Cara:

Sipas të dhënave që kemi, janë shumë më tepër. Pra bëhet fjalë që 13 mijë është shifra që e kemi marrë nga Drejtoria e Sigurimeve Shoqërore, që janë të deklaruar.

Nga disa të dhëna që kemi, bëhet fjalë që janë dy herë, tre herë më shumë. Biles ka disa që thonë mund të jenë dhe 100 mijë pensionistë që punojnë, por që janë të padeklaruar. Punojnë, kuptohet ndoshta me kohë të pjesshme, katër orë, gjashtë orë, por që janë në marrëdhënie pune. Këtu nuk po flas për të vetëpunësuarit, po flas gjithmonë për ata që janë të punësuar.

Ndërkohë, pyetja që mund të lindi me të drejtë është pse po e bëjmë këtë propozim? Në fakt, në takimet që kam pasur gjithmonë, me subjektet prodhuese, por dhe shpesh kur shkonim dhe në subjekte që kishin aktivitete familjare, shpesh shihnim pensionistë të cilët janë të padeklaruar dhe shqetësimi i tyre ishte me të drejtë se thonin: ‘kemi punuar 35, 40, disa dhe 45 vite, kemi paguar kontribute dhe tani na thonë përsëri që duhet të deklaroheni dhe të paguani përsëri kontribute’. Në fakt, kjo është një vjedhje, sepse një pensionist i cili ka paguar 39 vite që është tani minimumi, por ka dhe më tepër, ka paguar kontributet e sigurimeve shoqërore, nuk mund të detyrohet që të paguajë përsëri, sepse ai pjesën e detyrimit ligjor e ka bërë.

Dhe në këtë sens, kuptohet që kjo është një kosto jo vetëm për pensionistin, por mbi të gjitha është një kosto dhe për punëdhënësit, sepse është një kosto e shtuar, sidomos në këtë moment krize. Këtë e kam parë sidomos në ato subjekte të cilat bëjnë prodhim në vend, siç janë industria e lehtë, fasonët, por dhe në bujqësi. Në bujqësi shifrat janë alarmante sepse atje kërkush nuk deklarohet kur janë të punësuar.

Në këtë moment kur ne kemi mungesë reale të fuqisë punëtore, kur emigracioni është i madh, atëherë pa diskutim që vështrimi i të gjithë punëdhënësve është kthyer tek pensionistët, me aq sa kanë mundësi ato të punojnë, por punojnë për veten kuptohet, sepse pensionet që ato kanë janë minimale dhe nuk e sigurojnë dot jetesën. Pra kemi një interes të dypalësh, të punëmarrësit dhe të punëdhënësit. Por shteti çfarë duhet të bëjë në këtë rast? Nuk mundet që të taksojë, t’i shtojë barrën pikërisht kësaj kategorie e cila ka paguar…

Jo, jo, nuk po flasim për ndërprerje pensioni. Është kjo pikërisht që ai paguan atë 27.9 përqindëshin. Këtu nuk po flasim për TAP-in, nëse ngatërrohet me të ardhurat personale, sepse kjo nuk ka lidhje. Unë mendoj që kjo duhet bërë, dhe ky projektligj në fakt synon një periudhë katërvjeçare, sepse është dhe një lloj testi. Kuptohet pastaj do të shihet dhe ecuria se si do të shkojë. Kuptohet që në bisedat paraprake kemi hasur me pengesën e përfaqësuesve qeveritarë, ku thonë që kjo prish skemën e pensioneve, skemën e kontributeve, sepse ato që sot paguajnë kontribute, mbajnë skemën e pensioneve për ato që sot marrin pensione.

Kjo, në fakt, është një vjedhje, sepse nuk mundet që argumenti të jetë që, meqë mund të prishet skema e pensioneve, ti duhet të bësh një vjedhje. Është njësoj sikur një hajdut të thotë ‘nuk kam dhe duhet të vjedh’ dhe ta ligjërosh.

Të njëjtën gjë. Pra, në këtë sens ky projektligj, pavarësisht se është i propozuar nga unë, nuk duhet parë si një propozim politik. Është një propozim i cili vjen pikërisht për të stimuluar, për të nxitur, incentivuar formalizimin e tregut të punës…