Ballina Ekonomia 300 milionë lekë për rehabilitimin e 7 digave, miratohen fondet

300 milionë lekë për rehabilitimin e 7 digave, miratohen fondet

126
0

Qeveria ka miratuar projektet fituese që do të financohen gjatë vitit 2026 nga fondi për digat, me një vlerë totale prej 300.1 milionë lekësh. Sipas Vendimit nr. 358, datë 20.5.2026, në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare janë 7 projekte për vitin 2026 që do të financohen për rehabilitimin dhe ndërhyrjen emergjente në diga dhe rezervuarë në disa bashki të vendit. Fondi që do të financohet nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile për vitin 2026 arrin në rreth 149.3 milionë lekë, ndërsa pjesa tjetër është planifikuar për vitin 2027.

Projekti me vlerën më të lartë është ai për rehabilitimin e digës së rezervuarit Turan në Bashkinë Tepelenë, me një kosto totale prej 75.4 milionë lekësh. Për vitin 2026 janë parashikuar 32.4 milionë lekë, ndërsa 43 milionë lekë do të financohen në vitin 2027.

Në Bashkinë Peqin do të financohet rehabilitimi i digës së rezervuarit në fshatin Vashaj, me një vlerë totale prej 37.9 milionë lekësh. Nga kjo shumë, 19.7 milionë lekë do të disbursohen gjatë vitit 2026.

Për Bashkinë Pukë është miratuar projekti “Rritja e qëndrueshmërisë së digës së ujëmbledhësit Kukaj”, me një fond total prej 38.9 milionë lekësh, ku 20.2 milionë lekë do të financohen këtë vit.

Në Lezhë do të realizohet ndërhyrja emergjente për riparimin e digës Kallmet, me një vlerë prej 39.7 milionë lekësh. Financimi për vitin 2026 arrin në 20.6 milionë lekë.

Ndërkohë, në Bashkinë Finiq do të financohet rehabilitimi i rezervuarit të Pandalejmonit me një fond total prej 26.8 milionë lekësh, nga të cilat 13.9 milionë lekë janë planifikuar për këtë vit.

Për Bashkinë Vorë është miratuar projekti për rehabilitimin e digës Shargë, me një vlerë totale prej 46.5 milionë lekësh dhe me financim prej 24.2 milionë lekësh gjatë vitit 2026.

Ndërsa në Bashkinë Skrapar do të financohet rehabilitimi i digës së rezervuarit Staraveckë, me një fond total prej 34.6 milionë lekësh, ku 18 milionë lekë janë parashikuar për vitin aktual.