Ballina Opinion Mandatet parlamentare, nëse do të votohej sot

Mandatet parlamentare, nëse do të votohej sot

79
0

Nga Eduard Zaloshnja

Në sondazhin tim të fundit për ‘Zërin e Shqiptarëve’, 1195 banorë të rritur të vendit e plotësuan pyetësorin e shpërndarë përmes një linku me SMS krejt të rastësishme në të gjithë Shqipërinë. Kampioni u kolaudua statistikisht, që t’i përfaqësonte sa më afërsisht 1.9 milionë banorët e rritur të vendit gjeografikisht, demografikisht dhe politikisht (me marzh gabimi statistikor +/-2.8%).

Nga përgjigjet e të anketuarve, mund të ekstrapolohet me përafërsi se sa dhe si do të votonin në Shqipëri, nëse do të ishin zhvilluar zgjedhje parlamentare (meqë kampioni përfaqëson statitistikisht popullsinë e rritur të vendit).

Kështu, nga rreth 1.9 milionë banorë të rritur që ka vendi, rreth 0.89 milion nuk do të votonin fare sot. Rreth 1/9 e mos-votuesve të sotëm votuan vjet për PS-në, rreth 2/9 votuan për PD-ASHM, rreth 2/9 votuan për partitë e tjera të vogla, dhe 4/9 nuk votuan as vjet.

Po 1 milion e ca banorët e rritur që janë gati të votojnë sot, kujt ia japin votën? Rreth 673 mijë do të votonin për PS-në, rreth 325 mijë për PD-ASHM, dhe rreth 14 mijë për partitë e tjera të vogla (shihni grafikun e mëposhtëm).

Mandatet parlamentare, nëse do të votohej sot

Në qoftë se do të kishim një sistem zgjedhor proporcional kombëtar, do të ishte relativisht e lehtë të llogaritej shpërndarja e mandateve parlamentare bazuar në votat e mësipërme. Për këtë do të mjaftonte të shtoheshin votat nga emigracioni (duke presupozuar të njëjtën shpërndarje të tyre si vjet), dhe 140 mandatet e Kuvendit mund t’u shpërndaheshin përpjestimisht dy subjekteve kryesore elektorale (partitë e vogla nuk do të arrinin të merrnin mandat në nivel kombëtar). Konkretisht, PS do të merrte 94 mandate dhe PD-ASHM 46mandate. Duke faktorizuar marzhin e gabimit statistikor të sondazhit, do të kishim 94 +/- 2 mandate për PS-në, dhe 46 +/- 2 mandate për PD-ASHM.

Por në fakt ne kemi në fuqi një sistem zgjedhor proporcional rajonal, ku në secilin qark kemi një garë më vete mes partive. Për të llogaritur mandatet në çdo qark, në fakt, duhet nga një sondazh më vete për secilin prej tyre. Sidoqoftë, duke përcaktuar qarkun e secilit të anketuar në sondazhin tonë (përmes adresave IP të tyre), mundëm të llogarisnim me afërsi se në cilat qarqe njëra apo tjetra parti ka përqendrim më të madh votash.

Nga kjo analizë, na rezultoi se epërsinë e saj PS-ja e ka më të madhe në qarqet poshtë lumit Shkumbin, se sa mbi lumin Shkumbin. Duke faktorizuar këtë gjetje, arritëm në shifrën e përafërt 96 +/-3 mandate për PS-në, 43 +/-3 mandate për PD-ASHM, dhe 1 mandat për PSD (kjo e fundit del në radar në qarkun Shkodër, ku kishte një përqendrim të të anketuarve që ishin gati të votonin sot për një parti të vogël, dhe ne presupozuam se ata ishin votues të PSD-së).