Ballina Kulturë Poema e parë femërore e letërsisë evropiane promovohet në Prishtinë

Poema e parë femërore e letërsisë evropiane promovohet në Prishtinë

69
0

Poema e parë epike femërore e letërsisë evropiane “La Skënderbeida”, e shkruar nga intelektualja e mirënjohur italiane Margherita Sarrocchi, është prezantuar në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”. Ky libër i vitit 1623 vjen për herë të parë në versionin e saj të plotë nga prof. Olimpia Gargano.

Studiuesja Gargano u shpreh se “U desh t’i jepej zë për herë të parë në gjuhën e saj poemës kushtuar Skënderbeut, që ka për qëllim të shpalos para lexuesve histori dhe aventura, që edhe pse të largëta frymëzohen nga pasione që gjithmonë kanë përcaktuar zgjedhjet dhe përvojat njerëzore”.

Ndërkaq, ambasadori i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, theksoi se “Vepra e Margherita Sarrochit përbën një etapë të rëndësishme të një rrugëtimi që, edhe pas katër shekujsh, dëshmon se sa të thella dhe frytëdhënëse janë lidhjet ndërmjet italianëve dhe shqiptarëve”.

Në kuadër të kësaj ngjarjeje, prof. Giuseppe Gargano ka prezantuar “Itineraret Kastriotiane” në Amalfi, i cili theksoi se “Shekulli XVII ishte revolucioni i madh, revolucioni shkencor që solli qytetërimin e sotëm”. Ndërkaq, është hapur edhe ekspozita “Këndo, o muzë, trimërinë” – Shqipëria, Italia dhe Perandoria Osmane në poemën e parë epike femërore evropiane.

Një personalitet i jashtëzakonshëm në Itali, poete, matematikane, astrologe, fizikane dhe anëtare e Akademisë në Romë dhe Napoli, Margherita Sarrocchi, ishte mike e Galileo Galileit, Torquato Tassos, Alessandro Tasonit etj.

Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Blerina Rogova Gaxha, theksoi se “Vepra e Sarrochit na çon në një univers tjetër, për të na zbuluar të vërtetën sipas saj, ose një të vërtetë që na sfidon dhe na përball me një realitet tjetër. Ajo shtoi se heroi i kësaj poeme, Skënderbeu, udhëton përmes hapësirave dhe kohëve, përshkon kultura e histori”.

Profesoresha Majlinda Bregasi, duke falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët që e mbështetën për realizimin e këtij projekti, u shpreh se “Prof. Olimpia Gargano ka mbi 30 vjet që bën një punë të parreshtur mbi vendin e shqiptarëve në letërsinë dhe artin botëror dhe ka publikuar libra të një rëndësie të jashtëzakonshme për ne shqiptarët”.

Kjo ngjarje është realizuar me bashkëpunimin ndërmjet Institutit të Gjuhës dhe Kulturës Italiane të Universitetit të Prishtinës, Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Ambasadës së Italisë në Prishtinë dhe Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Kosovës.