Ballina Aktualitet Në kërkim për ‘grup kriminal’, Ermal Beqiri merr 100 mijë euro në...

Në kërkim për ‘grup kriminal’, Ermal Beqiri merr 100 mijë euro në muaj nga AKSHI

83
0

Skandali financiar i AKSHI-t, institucionit që menaxhon të dhënat dixhitale të të gjithë shqiptarëve, në në një vend normal do të duhet të kishte tronditur themelet e Shtetit. Por, qeveria e Edi Ramës po e kalon ekzistencën e grupit kriminal në atë Agjenci si një zhvillim rutinor të drejtësisë. Në qendër të skemës së dyshuar mashtruese miliona euro qëndron kompania “Soft Solution” e sipërmarrësit Ermal Beqiri, i cili është në kërkim nga Prokuroria e Posaçme prej të paktën 4 muajsh. Megjithatë, institucionet publike vijojnë të furnizojnë me pagesa të konsiderushme llogaritë bankare të kompanisë që operon në fushën e teknologjisë. Gjatë muajit Maj, “Soft Solution” ka përfituar rreth 90 milionë lekë të vjetra ose afërsisht 100 mijë euro nga financat publike. Kontributori kryesor në pagesat për kompaninë e Beqirit është Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit. Të dhënat e Thesarit të Shtetit tregojnë se AKSHI, vetëm në datën 19 Maj 2026, ka kryer tre pagesa për “Soft Solution”, secila nga rreth 30 mijë euro.

Gjithashtu, gjatë këtij muaji, ‘Soft Solution” është paguar edhe nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura me të paktën dy pagesa, në vlerë totale rreth 10 mijë euro. Ermal Beqiri është pjesë e një hetimi që po zhvillohet nga Prokuroria e Posaçme SPAK për “grup të strukturuar kriminal”, me qëllim manipulimin e tenderave që zhvilloheshin nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit. Në këtë hetim janë të përfshirë edhe ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, zëvendësja e saj, Hava Delibashi, biznesmeni Ergys Agasi dhe disa persona të tjerë.Ish-titullarja Karçanaj fillimisht u vendos në “arrest shtëpie”, por më pas ajo doli në liri nga Gjykata e Lartë. Kryeministri Edi Rama e mori publikisht në mbrojtje Karçanaj, duke deklaruar se ajo ishte një zyrtare model, e cila jetonte në shtëpi me qira. Por, të dhënat e vetëdeklaruara prej saj në formularin e pasurisë treguar se Mirlinda Karçanaj kishte në pronësi të paktën 4 apartamente./syri