Ballina Politika Prova “shkencore” e Kryeministrit për median e lirë (autogoli me raportin anonim...

Prova “shkencore” e Kryeministrit për median e lirë (autogoli me raportin anonim të bërë nga Kep Merli)

84
0

Kur Kryeministrit i duhet të provojë se liria e medias në Shqipëri lulëzon si pema e ullirit, raportet e zymta të Reporterëve pa Kufij apo Departamentit Amerikan të Shtetit nuk i bëjnë më punë.

Atij i duhet diçka më “shkencore”, më bindëse dhe, mbi të gjitha, më dashamirëse.

Kështu, në përpjekjen e fundit për të rrëzuar perceptimin se qeveria ka kapur median, shefi i ekzekutivit nxori si argument një raport të platformës mediatike “Buletin”.

Për të gjithë skeptikët që nuk kanë dëgjuar kurrë për këtë xhevahir të gazetarisë, ka një shpjegim: bëhet fjalë për një platformë të krijuar në vitin 2020, e cila ka pasur fatin dhe frymëzimin të nxjerrë vetëm një raport në dritë. Por, siç thonë, cilësia peshon më shumë se sasia.

Nëse gërmon pak në dokumentet e Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), zbulon se kjo fortesë e pavarësisë mediatike zotërohet në 80% të aksioneve nga zoti Mandi Shënediela (dhe 20% nga Ardit Dine).

Nga zyra e lajmeve, te lejet e ndërtimit në Jug
Siç ndodh rëndom në Shqipërinë e Rilindjes Administrative, pasionet e botuesve tanë nuk kufizohen vetëm te liria e fjalës. Zoti Shënediela, përveçse shqetësohet për shëndetin e medias, rezulton të jetë një djalë mjaft punëtor edhe në sektorët shumë më fitimprurës të turizmit elitaj dhe ndërtimit:

Ai zotëron kompaninë “Bhospitality”, e cila ka marrë përsipër menaxhimin e “Kep Merli Resort and Villas” – një prej atyre projekteve përrallore në jug të vendit.

Ky resort, me një koincidencë absolutisht “të rastësishme”, ka marrë nga qeveria e të njëjtit Kryeministër statusin e lakmueshëm “Investitor Strategjik”.

Për më tepër, i njëjti botues figuron si konsulent edhe në kompaninë e ndërtimit “Boiken Developments” (me emrin tregtar “Kep Merli”), në pronësi të Agim Shënedielës.

Në fund, kjo përpjekje e Kryeministrit për të pastruar figurën e lirisë së medias rezultoi në një autogol spektakolar me rregulla ndërkombëtare.

Burimi që ai zgjodhi me kujdes për të treguar se qeveria nuk e ka kapur median, në fakt bëri të kundërtën: konfirmoi pikë për pikë gjetjen kryesore të Reporterëve pa Kufij.

Ai vërtetoi se në Shqipëri, “media e pavarur” që mbron qeverinë, shpesh nuk është gjë tjetër veçse zgjatim i interesave ekonomike në ndërtim dhe turizëm, dy sektorë që marrin frymë dhe marrin statuse “strategjike” vetëm me një firmë dhe një buzëqeshje nga zyra e Kryeministrit./vna