Këshilli i Ministrave ka miratuar dy vendime të rëndësishme që i hapin rrugë realizimit të dy projekteve madhore strategjike në qarkun e Tiranës. Vendimi i parë përcakton shpronësimet për fazat e para të zgjerimit të superstradës Tiranë-Durrës (Loti 1), ndërsa vendimi i dytë autorizon shpronësimet për interes publik në funksion të zhvillimit të Bazës Ajrore të Farkës, nën administrimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Të dyja paketat e shpronësimit kapin një vlerë totale dëmshpërblimi prej rreth 43.5 milionë lekësh nga buxheti i shtetit.
Projekti i pare, zgjerimi i autostradës Tiranë – Durrës (Loti 1)
Ndërsa fluksi i qarkullimit në aksin kryesor ekonomik të vendit mbetet në mbingarkesë, qeveria ka ndezur dritën jeshile për nisjen e punimeve të zgjerimit për Faza I dhe Faza II të Lotit të parë. Shpronësimet në këtë zonë prekin pasuri private të llojit “truall” dhe “ndërtesë”, kryesisht në zonat periferike rurale përgjatë autostradës.
Financimi dhe procedurat operative për këtë aks janë strukturuar si më poshtë:
Vlera e shpronësimit, 25,136,045.80 lekë, e cila do të përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve” në Bankën e Shqipërisë.
Subjekti, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH).
Kostot procedural, 70,000 lekë, të mbuluara direkt nga ARRSH.
Afati ekzekutiv, procesi i likuidimit dhe shpronësimit duhet të përfundojë brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e vendimit.
Për të shmangur abuzimet apo spekulimet me pronat në këtë segment strategjik, ekzekutivi ka urdhëruar bllokimin e plotë të lëvizjeve kadastrale:
“Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të shtetit.”
Gjithashtu, Drejtoria Vendore Tiranë Rurale 2 ka një afat prej 30 ditësh për të hedhur gjurmën e projektit në hartën zyrtare. Gjatë likuidimit, Agjencia e Shpronësimit do të kryejë verifikime të rrepta mbi kufizimet hipotekore dhe detyrimet e mundshme bankare që mund të kenë pronarët.
Projekti i dytë, zhvillimi i Bazës Ajrore të Farkës
Në kuadër të rritjes së kapaciteteve mbrojtëse dhe infrastrukturës ushtarake të Forcave të Armatosura, vendimi i dytë i Këshillit të Ministrave sanksionon shpronësimin e pasurive private që preken nga zgjerimi i Bazës Ajrore në Farkë. Ndryshe nga aksi rrugor, në këtë zonë pasuritë e shpronësuara janë të llojit “arë” dhe “dru frutorë”.
Ashtu si në projektin e autostradës, afati i përfundimit të shpronësimeve është caktuar prerazi brenda 3 muajve. Komanda e Forcës Ajrore do të bëjë likuidimin e pronarëve privatë menjëherë pas dorëzimit të dokumentacionit justifikues, ndërsa ASHK Tirana Rurale 1 do të ngarkohet me pezullimin e transaksioneve dhe kalimin e pronësisë në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes.
Të dyja vendimet hyjnë në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare, duke u dhënë të drejtën autoriteteve rrugore dhe atyre ushtarake të nisin ndërhyrjet në terren sipas afateve të parashikuara.







