Ballina Politika “Partia e patronazhistëve po mbyt vendin”,Gjekmarkaj shpërthen ndaj Ramës: Shqipëria peng i...

“Partia e patronazhistëve po mbyt vendin”,Gjekmarkaj shpërthen ndaj Ramës: Shqipëria peng i një kaste që vjedh ditë e..

68
0

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, mbajti një fjalim me tone të forta politike në Kuvendin Kombëtar të PD-së, ku e cilësoi qeverisjen e Edi Ramës si një regjim kleptokratik që ka shkrirë partinë me shtetin dhe ka thelluar krizën e besimit në vend. Duke e paraqitur Partinë Demokratike si të vetmen alternativë reale për Shqipërinë, Gjekmarkaj tha se demokratët kanë hyrë në fazën e ndërtimit të një projekti kombëtar për rikthimin e demokracisë, integrimit europian dhe rotacionit politik. Ai theksoi se ripërtëritja e PD-së është hapi i parë drejt fitores së ardhshme dhe largimit të asaj që e quajti “neo-diktaturë e rilindur”.

Fjala e plotë:

I nderuar Kryetar i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha,

Të nderuar delegatë,

Të nderuar demokratë,

Të dashur qytetarë të Shqipërisë, bashkatdhetarë në diasporë,

Ky Kuvend është mundësia e vetme për të ardhmen e Shqipërisë, për demokratët dhe qytetarët shqiptarë.

Vizioni ynë dëshmon se ne, demokratët, kemi hyrë në fazën e ndërtimit të një projekti kombëtar, jetik për Shqipërinë, demokracinë dhe integrimin europian!

Me peshën e kryqit mbi shpinë, kaluam shkretëtirën 13-vjeçare nën një qeverisje kleptokratike, që ka shkrirë shtetin dhe partinë, e cila ka rindërtuar Sigurimin e Shtetit në formën e patronazhistëve, nën një parti me instinkt kriminal që në gjenezë, nën një kryeministër tashmë nyjë gordiane për një shoqëri të tërë!

Partia Demokratike do ta presë atë nyjë, ashtu si 35 vjet më parë rrëzoi atë shtatore dhe atë mur!

Shqipëria, në zemër të identitetit europian, nuk mund të mbetet më robinjë e një kaste që vjedh ditën e natën, që as ka besë, as ngjall shpresë, e cila rrënjët i ka në korrupsion, trupin në banalitet, kokën në krimin e organizuar.

Po zemrën? Zemër nuk ka.

Shqipëria po përjeton një krizë më të thellë: krizën e besimit.

Prej vitesh, kryeministri, qeveria, pseudomazhoranca nuk njohin as kufij moralë, as ndjesi njerëzore, as virtyte kombëtare!

Kudo është mbjellë një lodhje shoqërore që buron nga iluzioni i stimuluar se ndryshimi politik është bërë i pamundur, i padobishëm, i panevojshëm! Kjo është autocensura e re!

Këtu, në këtë Kuvend, nis përgjegjësia jonë historike, madhështia e qytetarëve të lirë!

Partia Demokratike është e vetmja alternativë reale, misionare dje, misionare sot, misionare nesër!

Ne jemi partia që ndan epokat: 36 vjet më parë ndamë diktaturën nga demokracia, sot ndajmë demokracinë nga autokracia, këtë neo-diktaturë të rilindur.

Ne jemi partia që ndan të shkuarën nga e ardhmja,

imoralitetin dhe injorancën nga morali dhe kultura,

errësirën nga drita,

ndershmërinë nga batakçillëku,

punën nga korrupsioni.

Ne nuk jemi vetëm kundërshtarë të qeverisë, ne jemi alternativa e gatshme për të qeverisur.

Ashtu siç kemi bërë për 13 vjet, me kompetencë, përmbajtje, standarde, shtet ligjor, NATO, Shqipëri pa viza, infrastrukturë moderne, luftë dhëmb për dhëmb me mafien dhe krimin e organizuar.

Një thirrje e kam për intelektualët e këtij vendi: të dalin nga heshtja dhe t’u druhen mureve të konformizmit!

Roli i intelektualit në demokraci është themelor: ai nuk duhet të imponojë të vërteta absolute, por të veprojë si një “rojtar kritik”, duke nxitur mendimin e lirë, përfshirjen dhe dialogun, me qëllim që të luftojë apatinë qytetare dhe dezinformimin që e relativizon edhe atë vetë!

Në këtë Kuvend do të vendosim që në vitet që vijnë të bëjmë gjithçka, më shumë, më mirë, për t’u dhënë shqiptarëve Shqipërinë europiane!

Do ta bëjmë sepse ne jemi modernë dhe konkurrues: në vizion, organizim, program dhe, mbi të gjitha, në kulturën tonë demokratike, profesionalizmin, integritetin dhe ekipin qeverisës.

Rrotacioni politik nuk është as dhuratë, as objektiv elektoral, por nevojë ekzistenciale kombëtare, jetë e frymëmarrje, ligjësi e zhvillimit dhe vlerë demokratike. Ai i jep fund tiranisë së shumicës, ndërtuar mbi vota të grabitura, mbi farsë elektorale!

Historia moderne na ka certifikuar ne në dhjetor 1990, mars 1992, në 2005 dhe 2009 dhe do të na ricertifikojë në zgjedhjet lokale të vitit 2027 dhe në ato të parakohshmet politike!

Fitorja e nesërme nis që sot, në këtë Kuvend, me ripërtëritjen e PD-së!

Rroftë Shqipëria!

Rroftë Partia Demokratike!