Pak orë para fillimit të protestës së tretë për të mbrojtur Zvërnecin, duket se “organizatorët” nuk po e ndajnë dot se kush është realisht organizatori.
Avokati Altin Goxhaj, ka publikuar një poster ku konsideron mashtrim deklaratat e bëra nga “Lëvizja Bashkë” dhe Arlind Qorri se ata janë organizatorët e protestës.
“Ai nuk është organizator I protestave as në Zvernec dhe as në Tiranë. Protestat u thirrën fillimisht nga shoqatat ambjentaliste. Qorri nuk ishte fizikisht as në protestën përballë drejtorisë së Policisë në Tiranë. Thirrësit dhe organizatorët ishin Alben Kola, Luciana Koka dhe Klajdi Bello! Asnjë prej tyre nuk është pjesë e lëvizjes Bashkë.
Mos dekurajoni protestuesit sikur janë komunistë. Protesta është e të gjithëve pa asnjë parti politike! Sot të gjithë në 18.00 në Sheshin Skënderbej. “Shqipëria është e shqiptarëve, vdekje tradhëtarëve! Të rrëzojmë qeverinë se po shet vatanin!”, shkruan Goxhaj në profilin e vet në rrjetet sociale.
Postimi ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale me qytetarët që pyesin se pse duhet të ketë përçarje e kush është organizatori.
Një ditë më parë, Arlind Qorri deklaroi se ishte “Lëvizja Bashkë” organizatore e protestave për Zvërnecin, por duket se deklarata e tij ka lënë shumë të pakënaqur.
Sherr ka jo vetëm për “moderimin” e protestës por edhe për atë se kush do të marrë fjalën gjatë regaimit qytetar. Shpesh herë ka shtyrje dhe tërhqeje se kush do të marrë mikrofonin që të thotë ndonjë fjalë. Mungesa e një kordinimi duket se po i jep krejt sens tjetër reagimit të qytetarëve të revoltuar ndaj qeverisë.








