David Beckham, ish-legjenda e Manchester United dhe bashkëpronar aktual i Inter Miami, do të nderohet me një yll në “Hollywood Walk of Fame”. Ceremonia është planifikuar të zhvillohet më 12 qershor, ndërsa Botërori 2026 do të jetë në zhvillim e sipër.
Dhoma e Tregtisë së Hollywoodit vlerësoi rolin e ish-futbollistit në rritjen e popullaritetit të futbollit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ceremonia, e cila do të mbahet në Los Anxhelos, do të përfshijë fjalime nga bashkëshortja e tij, Victoria Beckham, si dhe nga aktori Tom Cruise. Ana Martinez, producente e ceremonisë, theksoi rëndësinë e këtij vlerësimi në një deklaratë zyrtare.
“Roli i Beckham-it në rritjen e popullaritetit të futbollit në Shtetet e Bashkuara dhe ndikimi i tij i vazhdueshëm në sport, argëtim dhe kulturën globale e bëjnë këtë nderim veçanërisht domethënës”, deklaroi ajo.
Data e zgjedhur për ceremoninë përkon me ndeshjen e parë të kombëtares amerikane në Los Anxhelos gjatë Botërorit, që organizohet nga SHBA-ja së bashku me Meksikën dhe Kanadanë. Beckham, 51 vjeç, u shpall kalorës nga Mbreti Charles III vitin e kaluar dhe mbetet një nga figurat më të rëndësishme në historinë e futbollit britanik. Ai ishte kapiten i kombëtares angleze për gjashtë vite dhe fitoi UEFA Champions League me Manchester United-in në vitin 1999.
Gjatë karrierës së tij ai luajti edhe për klube si Real Madridi dhe Milani. Më vonë u transferua në SHBA për të luajtur me LA Galaxy, përpara se ta mbyllte karrierën te Paris Saint-Germain në vitin 2013.
Aktualisht, Beckham është bashkëpronar i Inter Miamit, klub që transferoi Lionel Messin në vitin 2023 dhe që fitoi titullin kampion në SHBA sezonin e kaluar.
Përveç karrierës sportive, Beckham konsiderohet një ikonë globale, biznesmen dhe figurë e njohur e modës. Jeta e tij u pasqyrua edhe në një serial dokumentar të Netflix, të publikuar në vitin 2023 dhe të prodhuar nga kompania e tij, Studio 99.







