Mjegulla që bie mbi një fushë gjatë natës duket bosh. Për orë të tëra, në errësirë, brenda pikëzave tepër të vogla për t’u parë me sy, diçka mund të jetë duke u zgjuar, duke u ndarë dhe duke u shumuar. Kur mjegulla shpërndahet, ajo mund të lëshojë në ajër më shumë jetë mikrobike sesa kishte para se të formohej.
Një studim i ri ndoqi 32 episode mjegulle gjatë dy viteve në një stacion kërkimor në Pensilvaninë qendrore dhe zbuloi diçka që ndryshon mënyrën se si duhet ta mendojmë ajrin që thithim. Në gjashtë raste ku studiuesit krahasuan ajrin para dhe pas mjegullës, ajri pas shpërndarjes së saj përmbante mesatarisht rreth 45 për qind më shumë baktere. Mjegulla nuk kishte kaluar thjesht nëpër atmosferë; ajo mund t’u ketë ofruar baktereve një vend ku të rriteshin.
I botuar në revistën shkencore mBio, studimi sugjeron se pikëzat e mjegullës funksionojnë si një habitat i përkohshëm dhe aktiv mikrobik, ku bakteret tërhiqen nga ajri përreth, aktivizohen, ushqehen, rriten dhe ndahen, përpara se të çlirohen sërish në atmosferë në numër më të madh kur uji avullon.
Bakteret e mjegullës i kthejnë pikëzat në një shtëpi të përkohshme
Bakteret që gjenden në ujin e mjegullës janë fizikisht të ndryshme nga të njëjtat baktere që qarkullojnë në ajër si grimca të thata. Ato janë më të mëdha, me një vëllim rreth pesë herë më të madh se bakteret e ngjashme në ajrin e thatë.
Ato gjithashtu ndahen më shpesh. Në çdo moment gjatë një episodi mjegulle, rreth 2.4 për qind e qelizave bakteriale në ujë tregojnë shenja të dukshme të ndarjes aktive, krahasuar me rreth 1 për qind në grimcat e ajrit të thatë.
Të dyja këto tregues përputhen me rritjen aktive. Bakteret që metabolizojnë lëndë ushqyese dhe shumohen bëhen më të mëdha para se të ndahen. Kjo do të thotë se mjegulla, në vend që thjesht të transportojë mikrobe nga një vend në tjetrin, mund t’u ofrojë atyre një mjedis ku të jetojnë.
Banori më i zakonshëm ishte një bakter me pigment rozë i quajtur metilobakterium. Në mostrat e marra gjatë episodeve të mjegullës, ky grup përbënte pothuajse një të tretën e të gjitha baktereve të identifikuara në ujin e mjegullës. Metilobakteriumi është i specializuar në konsumimin e një grupi përbërjesh të thjeshta të karbonit, ku bën pjesë edhe formaldehidi.
Mikrobet e mjegullës mund të ndihmojnë në shpërbërjen e formaldehidit
Formaldehidi gjendet në të gjithë atmosferën. Ai prodhohet nga emetimet e automjeteve, proceset industriale dhe shpërbërja e përbërjeve të tjera organike. Kjo substancë është toksike, por bakteret që jetojnë në mjegull po e shpërbëjnë atë me një ritëm rreth 200 herë më të lartë se ai i matur më parë në ujin e reve.
Për çdo qelizë, bakteret në ujin e mjegullës po e shpërbëjnë formaldehidin me ritme afër maksimumit të vëzhguar ndonjëherë në kushtet laboratorike, çka tregon se ato po punojnë pranë kufijve të tyre biologjikë.
Pjesa më e madhe e këtij aktiviteti duket se shërben për detoksifikim dhe jo për rritje. Bakteret mund ta shpërbëjnë këtë përbërje toksike sepse, në të kundërt, ajo do t’i dëmtonte. Gjatë këtij procesi, ato mund të jenë duke larguar në heshtje një ndotës të zakonshëm toksik nga atmosfera.
Pse mbledhja e ujit nga mjegulla mund të kërkojë më shumë kujdes
Ky zbulim e bën më të ndërlikuar idenë e mjegullës si një burim i pastër dhe i thjeshtë uji. Në disa pjesë të botës ku uji i ëmbël është i pakët, mbledhja e ujit nga mjegulla përmes rrjetave të posaçme është promovuar si një burim i pastër dhe i qëndrueshëm për ujë të pijshëm.
Megjithatë, përqendrimet bakteriale të gjetura në këtë studim tregojnë se uji i mjegullës është larg të qenit steril.
Dendësia e baktereve në pikëzat e mjegullës ishte e krahasueshme me atë që gjendet në liqene ose zona detare me produktivitet të lartë biologjik. Për komunitetet që mbledhin ujë nga mjegulla për ta pirë, shpesh duke supozuar se ai është i pastër dhe i sigurt, ky është një informacion i rëndësishëm.
Për më tepër, disa specie të metilobakteriumitmund të veprojnë si patogjenë oportunistë në kushte të caktuara, gjë që shton një arsye tjetër për ta trajtuar me kujdes ujin e mbledhur nga mjegulla.
Ky studim sugjeron se atmosfera duhet të shihet ndryshe: jo si një hapësirë boshe që transporton pasivisht mikrobet nga një vend në tjetrin, por si një habitat i gjallë ku bakteret jo vetëm që mund t’i mbijetojnë udhëtimit, por edhe ta shfrytëzojnë atë për t’u rritur dhe shumuar.







