Shqipëria rrallëherë ka zënë kaq shumë hapësirë në median ndërkombëtare brenda pak ditësh. Nga Reuters te Associated Press, nga CNN te Financial Times, nga The Guardian te Le Monde, titujt e javës së fundit janë përqendruar pothuajse tërësisht te protestat kundër projektit të lidhur me Jared Kushner dhe Ivanka Trump në Zvërnec dhe Sazan.
Ajo që bie në sy është se shumica e mediave nuk e trajtojnë historinë si një debat të zakonshëm për turizmin apo investimet e huaja. Në raportimet kryesore, Shqipëria paraqitet si vendi ku një projekt shumë miliardë dollarësh ka nxitur një reagim të gjerë qytetar, duke hapur një debat për mjedisin, pronën, transparencën dhe mënyrën se si merren vendimet për pasuritë publike.
Reuters ka raportuar vazhdimisht për protestat, duke vënë në qendër shqetësimet për zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës, flamingot, breshkat detare dhe biodiversitetin e rajonit. Simboli i flamingos është bërë një nga imazhet më të përdorura në raportimet ndërkombëtare për Shqipërinë gjatë këtyre ditëve. Fotografitë me flamingo rozë, pankartat “Shqipëria nuk është në shitje” dhe pamjet e mijëra protestuesve në Tiranë kanë qarkulluar në mediat më të mëdha të botës.
The Guardian dhe Financial Times e kanë parë çështjen si diçka që shkon përtej mjedisit. Në analizat e tyre, protestat lidhen me pakënaqësi më të gjera për mungesën e transparencës, mënyrën e qeverisjes dhe marrëdhënien mes pushtetit politik dhe investimeve strategjike.
Ndërkohë, CNN dhe mediat amerikane e kanë trajtuar zhvillimin si një histori me interes ndërkombëtar për shkak të lidhjes me familjen Trump. Pikërisht këtu qëndron edhe elementi më interesant i mënyrës se si po raportohet Shqipëria jashtë vendit.
Në shumicën dërrmuese të titujve, historia nuk nis me Edi Ramën, me qeverinë shqiptare apo me debatin për korrupsionin. Ajo nis me Jared Kushnerin, Ivanka Trump dhe lidhjen e projektit me familjen e presidentit amerikan. Për publikun ndërkombëtar, kjo është arsyeja kryesore pse historia ka marrë vëmendje globale.
Madje edhe termat që po përdoren janë “Trump-linked resort”, “Kushner-backed resort”, “anti-Kushner protests” apo “Flamingo Revolution”. Në shumë raste, emri i Shqipërisë shfaqet në titull vetëm pasi përmendet familja Trump.
Më tej ka shkuar gazeta franceze Le Monde, e cila i ka quajtur zhvillimet e fundit në Shqipëri “Revolucioni i Flamingove”. Sipas saj, protesta ka evoluar nga një reagim ambiental në një lëvizje më të gjerë qytetare kundër klientelizmit, korrupsionit dhe sistemit oligarkik që protestuesit pretendojnë se është ndërtuar në vend.
Megjithatë, po aq domethënëse është ajo që mungon në shumicën e raportimeve. Ndonëse Shqipëria prej vitesh është përmendur në raportet ndërkombëtare për korrupsionin, krimin e organizuar dhe dobësitë e shtetit ligjor, këto nuk janë temat që dominojnë titujt e ditëve të fundit. Përjashtim bëjnë disa analiza më të thelluara ku përmenden klientelizmi, oligarkët apo akuzat për korrupsion, por ato mbeten në plan të dytë.
Në fakt, media botërore po e trajton protestën kryesisht si përplasjen e parë të madhe europiane ndaj një investimi të lidhur me familjen Trump, ndërsa problemet shqiptare të korrupsionit, klientelizmit dhe qeverisjes shfaqen më shumë si sfondi i historisë sesa si tema kryesore e saj.
Kjo është ndoshta arsyeja pse imazhi që del sot nga Reuters, CNN, AP, Financial Times, Guardian, Euronews apo Al Jazeera është i ndryshëm nga ai që Shqipëria ka pasur shpesh në mediat ndërkombëtare. Në vend të kronikave për trafikun e drogës, korrupsionin apo konfliktet politike, Shqipëria po shfaqet si vendi ku një projekt i lidhur me familjen Trump ka nxitur një lëvizje qytetare që ka tërhequr vëmendjen e botës.
Për herë të parë pas shumë kohësh, Shqipëria nuk po diskutohet jashtë vendit për shkak të problemeve të saj tradicionale. Ajo po diskutohet sepse një protestë lokale ka arritur të shndërrohet në një histori globale. Dhe në këtë histori, për median ndërkombëtare, emri që tërheq lexuesin është Trump, ndërsa Shqipëria mbetet skena ku zhvillohet përplasja./vna







