Ballina Ekonomia Kompensimi 10% i fermerëve nis më 1 korrik, Tatimet: Vlera nga faturat...

Kompensimi 10% i fermerëve nis më 1 korrik, Tatimet: Vlera nga faturat e gjeneruara deri tani, 10.7 mln €

76
0

Nga 1 korriku të gjithë fermerët që i kanë shitur produktet e tyre tek bizneset e mëdha me TVSH, si agroturizma, grumbullues apo agropërpunues, do mund të kërkojnë kompensimin 10% për faturat e tyre.

Administrata Tatimore sqaron edhe një herë se për të përfituar kompensimin fermerët duhet të sigurohen që kanë marrë faturë të fiskalizuar nga blerësi.

“Për të përfituar kompensimin, sigurohuni të kërkoni faturën tatimore të fiskalizuar për çdo shitje të produkteve bujqësore. Kjo faturë është dokumenti që ju garanton të drejtën për kompensim sipas ligjit”, thuhet në njoftim.

Për 5-mujorin e parë të vitit, Administrata Tatimore thotë se vlera e kompensimit që mund të përfitojnë fermerët është rreth 10.7 milionë euro, bazuar në faturat e gjeneruara deri më tani.

Kompensimi bazohet i gjithi në fatura. Konkretisht blerësi do t’i lëshojë faturën tatimore fermerit për mallrat ose shërbimet e blera, dhe nga vlera e shkruar në faturë do t’i kompensohet 10% fermerit. Pra nëse fermeri shet produkte me vlerë 100 mijë lekë, do të marrë si kompensim nga shteti 10% e faturës ose 10 mijë lekë.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, është rritur me 19% vlera e transaksioneve të realizuara, ndërkohë që është rritur me 24% numri i fermerëve që i kanë shitur produktet e tyre te blerësit me TVSH, thonë tatimet.

Fermerët duhet t’i dorëzojnë faturat një herë në gjashtë muaj. Kompensimin për janar-qershor 2026, ata do e marrin brenda 31 dhjetorit të këtij viti, ndërsa për faturat e gjashtëmujorin e dytë të vitit, do e marrin deri në qershor të 2027-ës.