Ballina Lifestyle Mbeti pa frymë pasi bëri botox, gruaja kishte frikë se do të...

Mbeti pa frymë pasi bëri botox, gruaja kishte frikë se do të vdiste në gjumë

75
0

Një nënë që vendosi të bënte botox pasi vuri re rrudha gjatë një telefonate në Zoom, përfundoi duke pasur vështirësi serioze në frymëmarrje pas procedurës kozmetike.

Jen Hauer, 41 vjeç, e kishte provuar botoxin vetëm një herë më parë kur filloi të kishte probleme me frymëmarrjen dhe gëlltitjen pas seancës së saj. Më vonë, duke kërkuar në internet simptomat që po përjetonte, ajo kuptoi se mund të bëhej fjalë për botulizëm, një gjendje e rrallë, por potencialisht kërcënuese për jetën, që mund të ndodhë kur toksina botulinike përhapet më shumë se sa duhet në organizëm, shkruan Mirror.

Koordinatorja e marketingut e detyroi veten të qëndronte zgjuar gjithë natën, pasi kishte frikë se mund të vdiste në gjumë nëse flinte. Megjithëse ishte e tmerruar, ajo vendosi të mos shkonte në spital, sepse ndihej në siklet dhe kishte frikë se nuk do ta besonin.

Për një muaj me radhë, Jen vuajti nga migrena të forta dhe dhimbje në nofull. Më pas, për rreth dy vite pas procedurës, ajo përjetoi episode të ndryshme shëndetësore, duke përfshirë edhe shfaqjen e urtikaries (puçrra alergjike) pas konsumimit të disa ushqimeve.

Jen nuk u konsultua kurrë me mjekët për gjendjen e saj, pasi kishte frikë se nuk do t’i merrnin seriozisht shqetësimet e saj. Sot ajo thotë se nuk do ta përdorë më kurrë botoxin dhe po kërkon më shumë ndërgjegjësim për rreziqet që mund të lidhen me këtë procedurë estetike.

“Duhej të kisha shkuar në spital, por ndihesha në siklet. Mendoja se askush nuk do të më besonte. Qëndrova zgjuar gjithë natën sepse kisha frikë se mund të vdisja në gjumë,” tha ajo.

“Më kujtohet që mendova se nuk do ta rrezikoja më kurrë shëndetin tim vetëm për t’u dukur më mirë fizikisht në sytë e të tjerëve. Nuk ia vlen aspak. Nuk do ta bëja më dhe do t’i këshilloja edhe të tjerët të mendohen mirë. Për mua ishte si të luaje me fatin e shëndetit tënd. Po sikur të kisha vdekur ose të kisha humbur aftësinë për të gëlltitur? Kjo do të kishte ndryshuar tërësisht jetën time dhe të familjes sime, vetëm sepse nuk doja rrudhat në fytyrë. M’u duk një sakrificë e pakuptimtë.”