Ballina Politika Berisha ndryshon përfundimisht qëndrim: PD mbështet protestën, Rama të mos i provokojë...

Berisha ndryshon përfundimisht qëndrim: PD mbështet protestën, Rama të mos i provokojë rininë dhe qytetarët, të heqë dorë nga anti-mitingu

71
0

Lideri i opozitës shqiptare Sali Berisha tha gjatë një konference shtypi se, “PD mbështet fuqishëm protestën e rinisë dhe qytetarëve”.

Kreu demokrat ftoi, “çdo demokrat dhe mbështetës që t’i bashkohet asaj”.

Berisha: Jam këtu për të shprehur edhe njëherë mbështetjen më të fuqishme të PD-së për protestën madhështore të rinisë dhe qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë.

Protestë, e cila është shndërruar në një uragan të fuqishëm kundër regjimit të Edi Ramës, të bazuar në farsën zgjedhore, krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve.

Tirana nuk ka njohur në historinë e vet një protestë kaq të fuqishme dhe masive dhe persistente sa kjo.

Ndaj dhe thirrja ime për çdo demokrate e demokrat, mbështetëse dhe mbështetës të PD, të bashkohen në protestën e rinisë dhe qytetarëve të Tiranës, protestë kjo që tejkalon kufinjtë e forcave politike.

Por, që kërkon me vendosmëri fundin e regjimit autokratik të Edi Ramës.

Kërkon anulimin e një seri ligjesh për të cilat deputetët e PD në parlamentin e Shqipërisë kanë votuar kundër në komisione dhe në seancë plenare.

I kanë kundërshtuar këto ligje antikushtetuese dhe ligje që vijnë në kundërshtim me direktivat e BE edhe në Gjykatë Kushtetuese.

Pra, çdo demokrate e demokrat, çdo mbështetëse dhe mbështetës i PD, por edhe çdo qytetar i Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, ka motivet më të fuqishme për të mbështetur këtë protestë, e cila ka marrë krahas përmasave të uraganit në rrugët dhe sheshet e Tiranës, përmasa të papara botërore.

Është bërë lajm dhe superlajm i të gjitha agjencive, televizioneve, medieve më të mëdha të botës.

Por unë jam sot këtu për të denoncuar me forcën më të madhe qëndrimin e papërgjegjshëm cinik, armiqësor të Edi Ramës dhe rrethit të tij ndaj protestës, kërkesave të protestuesve dhe paralajmëroj se me këtë qëndrim, ai kërkon të zhysë vendin në kaos.

Është e pafalshme, e papranueshme përpjekja e tij për të sfumuar uraganin e fuqishëm me antimitingje anakronike, gjoja po festoj 85-vjetorin e partisë së krimit.

Është cinike, është poshtëruese dhe fyese për çdo shqiptar t’i kundërvihesh protestës së rinisë dhe qytetarëve shqiptarë me takimin e zgërbonjave të krimit të PS, takime që ngjasojnë nga alfa tek omega me takimet e mafies.

Edi Rama duhet të heqë urgjentisht dorë nga antimitingjet.

Të heqë dorë nga antimitingjet, të mos sfidojë uraganin e fuqishëm paqësor të rinisë studentore me antimitingje mafiozësh, banditësh, delinkuentësh të mbledhur me detyrim.

U bëj thirrje socialistëve të braktisin antimitingjet e Edi Ramës kudo që janë dhe të mos harrojnë se ato nuk kanë asgjë të përbashkët me idealet e PS.

Se ajo parti ka marrë fund, nuk ekziston, është shndërruar në Rivdekjen e saj, që është Rilindja gjoja, që e varrosi PS-në.

Ndaj dhe edhe njëherë dënoj me forcën më të madhe.

I bëj thirrje opinionit publik ndërkombëtar, atij politik dhe atij publik, të mbështesin fuqishëm këtë protestë, e cila ka përcaktuar si mision shpëtimin e Shqipërisë nga diktatura autokratike apo narkoregjimi i Edi Ramës.