Ballina Aktualitet Interpol Tirana prangos në Angli 5 shqiptarë të kërkuar, zbulohen skedat e...

Interpol Tirana prangos në Angli 5 shqiptarë të kërkuar, zbulohen skedat e tyre kriminale

84
0

Interpol Tirana në bashkëpunim me njësinë kombëtare të të kërkuarve pjesë e National Crime Agency, në harkun kohor të katër javëve kanë identifikuar dhe arrestuar për qëllime ekstradimi në vendin tonë pesë shtetas shqiptarë.

Kjo konfirmohet prej dokumenteve të gjykatës së ekstradimeve City of Westmister Magistrate Court të Londrës disponuar prej gazetarit të Top Channel Muhamed Veliu.

Renato Hasani 37 vjeç fshihej në Angli pasi kërkohet nga drejtësia shqiptare për konspiracion në shitje droge.

I arrestuari tjetër  në zonën Enfileld në veri të Londrës është Murat Mehmeti 62 vjeç,  i cili në 27 Maj 2014 ishte dënuar për falsifikime, më 1 vit e 4 muaj burg kthyer në shërbim prove. Mehmeti është larguar nga territori Shqipërisë duke mos zbatuar shërbimin e provës e si pasojë gjykata aktivizoi dënimin e dhënë.

Murat Mehmeti po i ndjek seancat e procesit të ekstradimit i lirë me kusht pas vendosjes në gjykatë të një garancie monetare prej 15.000 sterlinash.

Ndërsa Gëzim Çela 37 vjeç është arrestuar pasi drejtësia shqiptare e kërkon për veprën penale të trafikut të 46 kilogram drogë drejt Kosovës në bashkëpunim me persona të tjerë më  15.10.2015.

Andi Hoxha 23 vjeç është një tjetër i kërkuar i drejtësisë shqiptare prangosur në Angli si i kërkuar ndërkombëtarisht pasi në 14.11 2022 në Fushë Krujë shkaktoi vdekjen e Lutfi Malokut, kur e goditi me mjetin tip Mercedes Benz teksa udhëtonte me shpejtësi në aksin rrugor Thumanë-Fushë-Krujë.

Kostandino Tahiri 30 vjeç i kërkuar për plagosje me pasoja të rënda pranoi përpara gjykatës të ekstradohet vullnetarisht në Shqipëri.

Sakaq të dhënat nga Gjykata Supreme e Anglisë tregojnë se me 10 Qershor 2026 Prokuroria Angleze CPS,  që përfaqëson shtetin shqiptarë, ka aplikuar për të apeluar vendimin e Gjykatës së Lartë,  që bllokoi ekstradimin e Edmond Haxhisë dhe katër britanikëve të kërkuar prej prokurorisë së Lezhës nën dyshimin e përfshirjes në vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj tre vite më parë.