Kryebashkiaku i Pukës, Rrok Dodaj, i ftuar në një emision televiziv, ka komentuar protestën dhe shqetësimet e banorëve të fshatrave Kimzë, Mesul dhe Kalivarë lidhur me ndërtimin e tre hidrocentraleve në zonë.
Gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri, Dodaj konfirmoi se disa ditë më parë ka zhvilluar një takim me banorët, të cilët kundërshtojnë projektet e miratuara nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT). Sipas tij, takimi kishte për qëllim informimin mbi veprimet e fundit pas miratimit të lejeve për hidrocentralet dhe evidentimin e problematikave të ngritura nga komuniteti.
Kreu i bashkisë theksoi se procedurat për këto hidrocentrale kanë nisur që në vitin 2016, ndërsa banorët kanë depozituar një kallëzim në Prokurori që në vitin 2017. Ai sqaroi se leja e KKT-së është dhënë në gusht të vitit 2023, por ka hyrë në fuqi vetëm pas plotësimit të kritereve ligjore, më 30 dhjetor 2025. Dodaj vuri theksin te mungesa e konsultimit me komunitetin, duke e konsideruar atë problemin kryesor të procesit.
Sipas kryebashkiakut, tashmë çështja ndodhet në duart e organeve të drejtësisë, të cilat do të zbardhin nëse janë respektuar apo jo të gjitha procedurat ligjore.
Dodaj tha se e ka gjetur veten përballë një fakti të kryer, pasi kishte vetëm pak kohë që kishte marrë detyrën kur u miratua leja nga KKT. Në fund, kryebashkiaku i Pukës theksoi se nuk do të dalë kundër komunitetit që përfaqëson.
“Banorët janë të parët. Unë lë mandatin dhe nuk i dal kundër banorëve për veprime të tilla. Jetoj vetë në fshat dhe e di çfarë do të thotë të humbasësh një burim uji, një parcelë bujqësore apo një mundësi jetese. Bashkia e Pukës do të ecë përpara vetëm kur të gjendet një zgjidhje që respekton banorët”, përfundoi Dodaj.







