Një rrjet agjencish imobiliare që operon në disa qytete të vendit ka përfunduar në lupën e Administratës Tatimore, pas dyshimeve për evazion fiskal.
Sipas të dhënave të bëra publike nga Tatimet, kontrollet dhe verifikimet e kryera së fundmi kanë nxjerrë në pah rreth 3.4 milionë euro të ardhura të padeklaruara. Këto të ardhura, sipas hetimeve administrative paraprake, dyshohet se nuk janë pasqyruar në dokumentacionin tatimor sipas kërkesave të ligjit.
Rasti është zbuluar në kuadër të aksionit kundër informalitetit, ku sektori i ndërtimit dhe aktivitetet e lidhura me tregun e pasurive të paluajtshme mbeten ndër fushat kryesore të monitorimit nga Administrata Tatimore.
Në një reagim në rrjetet sociale, Tatimet bëjnë të ditur se kontrollet do të vijojnë në të gjithë vendin, me fokus evidentimin e rasteve të fshehjes së të ardhurave, mosdeklarimit të transaksioneve dhe shkeljeve të tjera të legjislacionit tatimor.
Sipas Administratës Tatimore, qëllimi i këtyre veprimeve është rritja e transparencës financiare, respektimi i ligjit dhe garantimi i konkurrencës së ndershme në treg. Institucioni u ka bërë thirrje edhe qytetarëve dhe bizneseve të raportojnë rastet e dyshuara të evazionit fiskal përmes aplikacionit “Denonco Evazionin”.
“Lufta kundër informalitetit mbetet një nga prioritetet kryesore për forcimin e administrimit tatimor dhe krijimin e një mjedisi të barabartë për të gjithë operatorët ekonomikë”, thuhet në reagimin e Administratës Tatimore.







