Ballina Ekonomia Dyfishohen çmimet e apartamenteve në Shkodër, rritja në pesë vitet e fundit...

Dyfishohen çmimet e apartamenteve në Shkodër, rritja në pesë vitet e fundit për apartamentet e reja, bie fuqia blerëse

82
0

Rritja në vazhdimësi e çmimeve të banesave po ndryshon ndjeshëm tregun imobiliar në Shkodër. Sipas agjencive të pasurive të paluajtshme, çmimi i apartamenteve në pallatet e reja variojnë nga 1700 deri në 1900 euro për metër katror, pothuajse dyfish më shumë krahasuar me 4-5 vite më pare.

Edhe tregu i apartamenteve në pallatet ekzistuese ka njohur rritje të konsiderueshme. Në zonat periferike, çmimet variojnë nga 800 deri në 1200 euro për metër katror. Sipas specialistëve të sektorit, një ndër faktorët kryesorë që po ndikon në rritjen e çmimeve është kufizimi i ofertës kryesisht nga mungesa e lejeve të reja të ndërtimit.

“Numri i lejeve të ndërtimit në Shkodër, tre vitet e fundit nuk kemi shumë leje ndërtimit. Vetëm këtë vit kemi dy tre pallate që kanë filluar, por me kërkesat me këtë risistemim të ri të Shkodrës është pak problem për në raport me çmimin”, u shpreh agjenti imobiliar Armndo Lohja.

Ndërkohë rritja e vazhdueshme e çmimeve ka sjellë edhe ngadalësim të numrit të transaksioneve. Agjentët imobiliarë raportojnë se ritmi i shitjeve ka rënie krahasuar me vitet e mëparshme.

“Numri i këtyre familjeve të reja të cilat më përpara kanë qenë të shumta, kanë pasur mundësi me marrë kredi ka ardhur në rënie. Sepse është rrit çmimi dhe rrogat nuk janë rritur”, tha ai.

Ndërkohe që tendenca e rritjes së çmimeve të banesave vërehet në të gjithë vendin, ku përtej kryeqytetit, krahasuar me  qytetet bregdetare si Vlora, Durrësi dhe Saranda, ku çmimet variojne nga 1500 deri në mbi 2500 euro për metër katror, Shkodra duket më e përballueshme në këtë treg  megjithëse  trendi i rritjes së vlerës së pronave po bëhet gjithnjë e më i dukshëm./rtsh