Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave që paguajnë akcizë, Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës dhe autoritetet doganore, finalizoi operacionin policor të koduar “Trageti”.
Bazuar në informacionet e siguruara se në një automjet mund të kishte qindra steka cigare me qëllim futjen kontrabandë në Shqipëri, shërbimet e Policisë kaluan për kontroll në vijën e dytë një automjet me drejtues shtetasin Ervis Balla.
Gjatë kontrollit në automjet u gjetën 548 steka me paketa cigare pa pullë fiskale, të padeklaruara pranë autoriteteve doganore dhe policore, si dhe pa dokumentacion shoqërues.
Në vijim të veprimeve, nga shërbimet e DVP Durrës u ushtrua kontroll në banesën e shtetasit Ervis Balla, ku u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri automatike AK-47.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, kontrolli vijoi edhe në brendësi të tragetit, ku në ambientet e hotelerisë së një trageti u gjetën të fshehura 250 steka me paketa cigare, me qëllim futjen kontrabandë në Shqipëri, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u bë arrestimi në flagrancë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, i shtetasit Ervis Balla, 34 vjeç, banues në Durrës.
Gjithashtu, u procedua penalisht për veprën penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë” përgjegjësi i hotelerisë së tragetit, shtetasi E. S., 34 vjeç, banues në Durrës.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.







