Përplasja mes gazetares së CNN, Isa Soares, dhe kryeministrit Edi Rama duket se po thellohet. Pak ditë pasi Rama sulmoi publikisht CNN gjatë një paneli në Romë dhe pretendoi se rrjeti amerikan i detyrohej ndjesë Shqipërisë, Soares ka zgjedhur t’i japë zë qytetarëve shqiptarë që prej javësh protestojnë kundër qeverisë.
Në një postim në Instagram, gazetarja e CNN shkroi se prej më shumë se 20 ditësh shqiptarët brenda dhe jashtë vendit kanë ngritur zërin në protesta dhe se ajo ka marrë dhjetëra mesazhe nga pjesëmarrësit në këto demonstrata.
“Kam marrë shumë mesazhe nga njerëz që marrin pjesë në këto protesta. Me pëlqimin e tyre, do të ndaj disa nga përvojat, perspektivat dhe historitë e tyre. Për të mbrojtur privatësinë, të gjithë kanë zgjedhur të mbeten anonimë. Zërat e tyre meritojnë të dëgjohen”, shkroi Soares.
Më pas, gazetarja publikoi një seri dëshmish të qytetarëve shqiptarë, të cilat përbëjnë një aktakuzë të ashpër ndaj qeverisjes 13-vjeçare të Edi Ramës.
Në mesazhet e publikuara, protestuesit shprehen se zemërimi i qytetarëve nuk lidhet vetëm me projektin e Sazanit apo zhvillimet e fundit, por me një grumbullim pakënaqësish që sipas tyre përfshin korrupsionin e përhapur, largimin masiv të të rinjve, varfërinë, kapjen e institucioneve dhe mungesën e meritokracisë.
Një qytetar shkruan se Rama ka dështuar në detyrën e tij kushtetuese si kryeministër për të garantuar zhvillim të drejtë dhe të sigurt për vendin, ndërsa një tjetër e akuzon qeverinë për grabitje tokash, privatizim të pasurive publike dhe shkatërrim të zonave të mbrojtura si Laguna e Nartës.
Në një prej mesazheve më të forta, protestuesit shprehen se termi “zhvillim” po përdoret për të maskuar shndërrimin e pasurive publike dhe zonave të mbrojtura në resorte luksoze në shërbim të oligarkëve. Po ashtu, përmendet edhe projekti i Sazanit, i cili sipas tyre është simbol i një politike që po shet pasuritë kombëtare pa transparencë dhe pa llogaridhënie publike.
Të tjerë qytetarë e lidhin revoltën me përqendrimin e pushtetit në duart e qeverisë pas më shumë se 13 vitesh në pushtet, duke ngritur shqetësime për gjendjen e spitaleve, mungesën e barnave për pacientët, pensionet e ulëta, varfërinë dhe largimin e vazhdueshëm të shqiptarëve nga vendi.
Mesazhet flasin për korrupsion, pabarazi ekonomike, mungesë transparence në projektet strategjike dhe një sistem që favorizon interesat oligarkike në kurriz të qytetarëve të zakonshëm.
“Shqipëria nuk është në shitje”, është fraza që përsëritet në disa prej dëshmive të publikuara nga gazetarja e CNN.







