Kryeministri Edi Rama, në episodin e radhës të podcastit “Flasim” ka sulmuar sërish protestuesit.
Ai u shpreh se sjellja e tyre lidhur me librin “Albanian Files”, është e krahasueshme me një inkuizicion ndërsa ka shtuar se sjellja e protestuesve është sikur të jemi në kushtet e revolucionit kinez.
“Një inkuizicion ka nisur lidhur me librin, që buron nga fryma e bulevardit ku protesta e filluar për natyrën ka krijuar shumë degë të tjera, e një nga këto është dega inkuizicionale që përndjek, në kuptimin me fjalë dhe akzua e shpifje, një nga gjërat dhe grupet më të rëndësishme që i ka ndodhur dhe i janë qasur Shqipërisë dhe historisë së saj,. Njerëz që e kanë bërë emrin dhe historinë e tyre në skenën e arkitekturës botërore dhe janë mbledhur në Shqipëri.
“Albanian files” është vënë në shënjestër nga inkuizicioni jo intelektual, por revolucionar i protestës, ndërsa nuk është një libër i imi. Kam dhënë vetëm një kontribut në teksti parathënës, gjë që e kam krenari. Është projekt i pavarur. T’i qepesh botimit si në kohën e Revolucionit kinez dhe të kapesh me një tekst ironik të një arkitekti, ky është kulmi”, tha ai.







