Nga Ardi Stefa
Është hera e tretë që po e shoh në Netflix “House of Cards”, një thriller politik që ndjek ngritjen dhe rënien e një çifti jashtëzakonisht ambicioz në politikën amerikane. Një serial jo vetëm thriller politik, por në realitet, një studim i jashtëzakonshëm mbi psikologjinë e pushtetit dhe frikën nga humbja.
Më pëlqen jashtëzakonisht shprehja “I’m controlling the fall” (“Po kontrolloj rënien”), që thotë Frank Underwood dhe që mishëron një nga idetë qendrore të serialit.
Idenë që edhe kur pushteti shembet, një politikan përpiqet të kontrollojë mënyrën e rënies, të kufizojë dëmet, të ruajë ndikimin dhe, nëse është e mundur, të përgatisë rikthimin. Kjo shprehje nuk është deklaratë force; është pranimi cinik se rënia ka nisur dhe se beteja nuk është më për fitore, por për të zgjedhur mënyrën e humbjes.
Në realitetin politik, kjo është ndoshta fjalia më e sinqertë që mund të thotë një lider kur ka humbur kontrollin mbi realitetin, por ende kontrollon institucionet. Është pikërisht momenti kur pushteti nuk lufton më për të fituar të ardhmen, por për të administruar fundin.
Sa më shumë bie besimi publik, aq më shumë rritet dëshira për ta mbajtur pushtetin. Sa më i dukshëm të bëhet konsumimi, aq më agresive bëhet propaganda. Sa më shumë zvogëlohet legjitimiteti moral, aq më i madh bëhet kontrolli administrativ.
Në këtë fazë nuk qeveriset më vendi; menaxhohet tranzicioni drejt humbjes. Emërimet e fundit, marrëveshjet e fshehta, presionet mbi institucionet, përpjekjet për të fragmentarizuar kundërshtarët, polarizimi i qëllimshëm i shoqërisë dhe krijimi i krizave artificiale janë pjesë e së njëjtës strategji: “Të kontrollosh mënyrën se si do të biesh.”
Gjithsesi shembujt na tregojnë shumë liderë politikë, që, edhe kur e kuptonin se cikli i tyre kishte përfunduar, nuk u larguan. Përkundrazi, u kapën edhe më fort pas pushtetit. Në aparencë kjo duket kokëfortësi. Në të vërtetë, shumë shpesh është frikë dhe prova më e qartë se fundi ka filluar. Lideri nuk lufton më për vendin; lufton për të negociuar të nesërmen e vet.
Është frikë nga humbja e privilegjeve, nga drejtësia, nga hakmarrja politike, nga zbrazëtia që lë pushteti kur largohet. Sepse për disa politikanë, pushteti është identiteti i tyre. Pa të, ata nuk dinë më kush janë.
Kjo nuk është karakteristikë vetëm e pushtetit.
Edhe opozitat bien shpesh herë në të njëjtin kurth. Edhe ato, kur e kuptojnë se nuk po fitojnë besimin e qytetarëve, përpiqen të kontrollojnë rënien e tyre. Shpikin armiq të rinj, radikalizojnë gjuhën, prodhojnë protesta pa strategji dhe ushqejnë idenë se ka gjithmonë një komplot që justifikon dështimin.
Një lider i madh e kupton se pushteti fitohet përkohësisht dhe dorëzohet me dinjitet. Një lider i vogël beson se largimi është fundi i botës. Dhe pikërisht kjo frikë e shtyn të marrë vendime që e përshpejtojnë rrëzimin.
“House of Cards” vërteton se askush nuk mund ta kontrollojë rënien përgjithmonë. Mund të zgjedhë vetëm nëse do të largohet si një burrë shteti që pranon ciklin e demokracisë, apo si një sundimtar që, duke u kapur pas karriges deri në sekondën e fundit, rrëzohet bashkë me të.







