Faza me eliminim direkt e Kampionatit Botëror 2026 ka hyrë në një nga momentet më vendimtare, ndërsa superkompjuteri i Opta-s ka analizuar të gjitha çiftet e raundit të 32-shes, duke nxjerrë parashikimet për fituesit dhe rrugëtimin e mundshëm drejt finales.
Sipas llogaritjeve statistikore, Argjentina mbetet skuadra me shanset më të mëdha për të kaluar në 1/16-at e finales, me një përqindje tepër të lartë ndaj Kepit të Gjelbër, i cili konsiderohet si një nga surprizat e këtij Botërori, por që pritet të mbyllë rrugëtimin në këtë fazë.
Spanja dhe Anglia gjithashtu parashikohen të kalojnë pa probleme respektivisht ndaj Austrisë dhe Republikës Demokratike të Kongos. Të dyja kombëtaret kanë hyrë në turne me pritshmëri të mëdha dhe sipas superkompjuterit nuk pritet të kenë pengesa serioze në këtë raund.
Franca renditet menjëherë pas tyre si një tjetër favorite kryesore për trofeun. Megjithatë, përballja me Suedinë konsiderohet më e komplikuar, pasi performanca e suedezëve mbetet e paqëndrueshme, duke alternuar ndeshje shumë të forta me humbje të thella.
SHBA-ja e drejtuar nga Mauricio Pochettino gjithashtu ka shanse të mira për kualifikim, me një probabilitet prej 78.46%, Meksika, si vend organizator (Kanadaja e ka kaluar Afrikën e Jugut),pritet të kalojë më tej në mënyrë relativisht të lehtë.
Parashikimet e ndeshjeve të 1/16-ave sipas superkompjuterit:
Afrikë e Jugut – Kanada: Kanada (68.29%)
Brazil – Japoni: Brazili (68.94%)
Gjermani – Paraguaj: Gjermania (78.58%)
Holandë – Marok: Holanda (61.17%)
Bregu i Fildishtë – Norvegji: Norvegjia (67.81%)
Francë – Suedi: Franca (81.46%)
Meksikë – Ekuador: Meksika (61.35%)
Angli – RD e Kongos: Anglia (84.04%)
Belgjikë – Senegal: Belgjika (56.91%)
SHBA – Bosnjë e Hercegovinë: SHBA (78.46%)
Spanjë – Austri: Spanja (85.22%)
Portugali – Kroaci: Portugalia (67.42%)
Zvicër – Algjeri: Zvicra (65.21%)
Australi – Egjipt: Egjipti (53.56%)
Argjentina – Kepi i Gjelbër: Argjentina (89.24%)
Kolumbi – Ganë: Kolumbia (71.91%)
Në përfundim të analizës, superkompjuteri ka projektuar edhe favoritët kryesorë për fitimin e Kupës së Botës 2026. Franca kryeson listën me 18.66% shanse për triumf, e ndjekur ngushtë nga Argjentina me 16.26% dhe Spanja me 13.47%.
Më pas vjen Anglia me 9.68%, ndërsa Brazili (6.47%) dhe Holanda (5.11%) mbeten në grupin e “outsider-ëve të rrezikshëm”. Gjermania dhe Portugalia gjithashtu mbajnë shpresa reale, por me përqindje më të ulëta.
Sa u përket vendeve organizatore, SHBA-ja ka 2.45% shanse për titull, Meksika 1.81%, ndërsa Kanadaja renditet më poshtë me vetëm 0.47%, duke u konsideruar si një surprizë e largët.
Kështu, superkompjuteri parashikon një garë të fortë mes gjigantëve të futbollit botëror, ku Franca dhe Argjentina shihen si dy favoritët kryesorë për të ngritur trofeun në finalen e 19 korrikut.







