Grian Serrano po konsiderohet si njëri nga njerëzit më me fat në Venezuelë. Por, nga tash e tutje, ai nuk dëshiron të jetë kështu i bekuar. Në fakt, tregtari 48 vjeç lutet të mos përjetojë më situata të renda dhe të padëshirueshme, ku ai, në njëfarë mënyrë, bëhet hero.
Serrano ka arritur t’u mbijetojë dy prej fatkeqësive natyrore më të rënda në historinë e Venezuelës. E para ishte rrëshqitja shkatërrimtare të dheut që goditën shtetin bregdetar La Guaira në vitin 1999.
26 vjet më vonë, ai u shpëtoi dy tërmeteve të fuqishme që goditën të njëjtin rajon. Ai po rikuperohet nga përjetimi dramatik që kaloi të mërkurën e kaluar, së bashku me djalin dhe nënën e tij.
Të tre mbetën të bllokuar nën rrënoja pasi u shemb pallati tetëkatësh ku jetonin, në qytetin Caraballeda të shtetit La Guaira, që ishte zona më e goditur nga tërmetet me magnitudë 7.2 dhe 7.5.
“Është një mrekulli e Zotit”, tha Serrano duke folur për mënyrën si shpëtoi, transmeton AP.
Ai kujton se si, në errësirë të plotë, gërmoi me duar, mes rrënojave dhe, me ndihmën e dy kalimtarëve, arriti të shpëtojë djalin e tij 8-vjeçar dhe nënën 69-vjeçare.
Sipas qeverisë venezueliane, dy tërmetet kanë shkaktuar më shumë se 1.700 viktima dhe mbi 5.000 të plagosur. Qindra ndërtesa janë shembur ose kanë pësuar dëme të mëdha, kryesisht në La Guaira. Dëme të konsiderueshme janë raportuar edhe në kryeqytetin Caracas dhe në shtetet Carabobo, Miranda, Aragua dhe Yaracuy.
La Guaira, e njohur si Vargas deri në vitin 2019, është shteti i dytë më i vogël në Venezuelë, por një nga më të rëndësishmit strategjikisht. I ndodhur rreth 30 kilometra në veri të Karakasit, ai strehon aeroportin kryesor ndërkombëtar të vendit dhe portin e dytë më të madh detar.
Duke folur nga shtëpia e vëllait të tij në Karakas, Serrano kujtoi se si mendja iu kthye menjëherë tragjedisë së 15 dhjetorit 1999, kur u zgjua nga britmat e punonjëses së shtëpisë, e cila kishte parë lumin pranë shtëpisë që kishte dalë nga shtrati pas disa ditësh reshjesh të dendura.
Nga dritarja e apartamentit ai pa lumin e fryrë që merrte me vete pemë, shkëmbinj gjigantë dhe automjete me njerëz të bllokuar brenda, të cilët godisnin xhamat dhe kërkonin ndihmë.
I shtyrë nga instinkti, Serrano u largua nga apartamenti në katin e katërt së bashku me nënën, motrën dhe kujdestaren e shtëpisë, duke u ngjitur në çati. Prej andej panë se si ujërat përmbytën katet e poshtme të ndërtesës, duke pasur frikë se edhe ajo do të shembej si shumë ndërtesa të tjera aty pranë.
Frika u zbut vetëm në agim, kur reshjet pushuan dhe niveli i ujit filloi të binte. Pasi pritën më kot ndihmë, familja kaloi mes baltës, gurëve, mbeturinave dhe pemëve të rrëzuara për të arritur në shtëpinë e gjyshërve në një lagje pranë.
Përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut të vitit 1999, të njohura si “Tragjedia e Vargasit”, shkaktuan vdekjen e 782 personave, ndërsa rreth 2.000 të tjerë u raportuan të zhdukur.
Edhe pse e quajnë si njeri me shumë fat, Serrrano, i tronditur nga pasojat e tërmeteve, beson se La Guaira, e vendosur mes Detit të Karaibeve dhe vargmaleve Ávila, është e mallkuar dhe se ai nuk do të rrijë më aty.
“Nuk është normale që gjëra kaq të tmerrshme të ndodhin në të njëjtin vendi. Nuk do të jetojë më kurrë në La Guaira. Ka ndodhur dy herë tashmë”, tha ai, duke shtuar se ka nisur të mendoj që nëse do të ketë një herë të tretë, ai nuk do ta fitojë betejën, sërish.







