Ballina Politika Koçiu dënon dhunën në protestë: Kush shkel ligjin, do të përgjigjet para...

Koçiu dënon dhunën në protestë: Kush shkel ligjin, do të përgjigjet para drejtësisë

86
0

Me aktet e sotme të dhunës, protesta para Kuvendit “hoqi maskën” dhe përfundoi në dhunë e kaos. Kështu u shpreh zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, e cila komentoi incidentet e ndodhura gjatë tubimit, ku u sulmuan me vezë deputetë dhe me gurë efektivë të Policisë së Shtetit.

Në reagimin e saj, zëvendëskryeministrja shprehu gjithashtu mbështetje për Policinë e Shtetit në vendosjen e rendit dhe qetësisë publike, ndërsa theksoi se kushdo që ka tejkaluar kufijtë e ligjit do të mbajë përgjegjësi para drejtësisë.

“U desh shumë pak që kjo protestë të hiqte maskën. Nga pankartat me meme, te vezët, e më pas te dhuna dhe kaosi, pikërisht aty ku dukej se ishte planifikuar të mbërrinte që në fillim. Kjo nuk është më një protestë qytetare me kauza të drejta. Është i njëjti skenar i vjetër, i njëjti refren i konsumuar i një grupi vandalësh që i kanë mbetur peshqesh Shqipërisë, për t’u kujtuar shqiptarëve çdo ditë pse nuk duhet të kthehemi më pas te këto shembuj të shëmtuar. Mbështetje e plotë për Policinë e Shtetit në vendosjen e rendit dhe qetësisë publike. Kushdo që tejkalon kufijtë ligjorë do të mbajë përgjegjësi përpara drejtësisë” u shpreh ajo.