Aktori Robert Dragot Aliaj ka dhënë një mesazh në faqen e tij në Facebook. Me një video-mesazh ironik dhe të drejtpërdrejtë, ai bën thirrje që të gjithë të dalin masivisht në protestë.
Ndërsa shprehet: “Ku jeni ju, patriotët e stadiumeve dhe koncerteve tallava, që ulërini nëpër stadiume një herë në dy vjet? Kur atdheu digjet, ju strukeni si minj. Patriotë njëpërdorimësh.”
Mesazhi i plotë:
Ku jeni ju, patriotët e stadiumeve dhe koncerteve tallava, ju me tatuazhe të Shqipërisë së Madhe, që ulërini me histeri? Por kur atdheu digjet, pse strukeni si minj? Kur ti nuk je në gjendje të mbrosh fëmijën tënd, ti nuk e meriton atë. Ti, patrioti njëpërdorimësh, kush të ka tredhur ty?
Patriotizmi i vërtetë nuk është kënga e Xhamadanit që shpërthen nga xhamat e makinave luksoze me të ardhura nga prostitucioni dhe droga. Nuk janë këngët e pasinqerta për shqipet, që i keni shfarosur për t’i ngrënë apo balsamosur. As droga, as kriminaliteti, as korrupsioni. Jooooooo, nuk janë patriotizëm.
Patriotizmi i vërtetë kushton diçka, zotërinj. Kushton më tepër se liria. Prandaj lëvizni, bëni një herë diçka në jetën tuaj. Protestoni!
Patriotizëm i vërtetë do të thotë besnikëri, të jesh i betuar për diçka më të madhe se vetja. Patriot i vërtetë është një i dashuruar me jetën, i lirë në hapësirë, nuk bën pazare, nuk vjedh vendin e tij, nuk vjedh votën, as nuk e shet.
Refreni i patriotizmit të vërtetë nuk është: “O sa mirë me qenë shqiptar”.
Patriotizmi i vërtetë është rituali i atij që ngrihet në këmbë kur atdheu është në rrezik.







