E përditshmja italiane “Il Foglio”, i ka kushtuar një analizë të plotë situatës në vendin tonë, ku prej më shumë se një muajsh shqiptarët po kërkojnë largimin e Ramës. Gazeta italiane thekson në artikull se protesta që nisi për të mbrojtur flamingot është shndërruar në revoltën më të madhe qytetare kundër qeverisë.
Il Foglio e përshkruan Shqipërinë si një vend ku zemërimi ndaj korrupsionit, ndërtimeve pa kufi, mungesës së transparencës dhe kapjes së institucioneve ka bashkuar mijëra qytetarë në një lëvizje që shkon përtej ndarjeve politike. Sipas artikullit, “Revolucioni i Flamingove” nuk është më vetëm një betejë për mbrojtjen e natyrës, por simbol i një vendi që kërkon të mbrojë identitetin, të ardhmen dhe demokracinë e tij.
Në artikull, gazetari Nicola Mirenzi trajton atë që e quan “revolta e rrugës”, duke u ndalur tek arsyet që, sipas tij, kanë shtyrë qytetarët të kërkojnë largimin e kryeministrit dhe të gjithë klasës së vjetër politike.
Artikulli vë në duke se për vite me radhë Rama është prezantuar në Perëndim si një figurë moderne, pro-europiane dhe reformuese, por situata aktuale politike dhe protestat në rritje kanë ndryshuar perceptimin ndaj tij.
Në këtë kontekst, Mirenzi i është drejtuar për koment ish-ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati, i cili ka theksuar se neglizhimi i pakënaqësisë qytetare mund të ketë pasoja të rënda politike.
“Të mohosh realitetin, të tallesh me protestuesit, të polemizosh për numrin e tyre, të ndjekësh teori konspirative duke injoruar thelbin e çështjes – pra zemërimin popullor që ka pushtuar rrugët – do të thotë të luash me zjarrin. Shqipëria meriton më shumë”, është shprehur Bushati për gazetën italiane.







