Ish-ministrja e Financave dhe ish-deputetja e Partisë Socialiste, Ermelinda Meksi, ka reaguar publikisht pas publikimit të aktit normativ për financimin e koncertit të artistit Kanye West me 4.2 milionë euro nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, duke kërkuar transparencë dhe kontroll parlamentar mbi këtë vendimmarrje.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meksi thekson se Kuvendi ka detyrimin kushtetues të ushtrojë kontroll mbi aktin normativ dhe të verifikojë nëse janë përmbushur kushtet e “nevojës” dhe “urgjencës” për përdorimin e fondit rezervë.
“Qytetarët kanë të drejtë të marrin një shpjegim të qartë nëse janë përmbushur kushtet e ‘nevojës’ dhe ‘urgjencës’ për nxjerrjen e këtij akti normativ, si dhe nëse përdorimi i fondit rezervë është bërë në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi. Transparenca, llogaridhënia dhe respektimi i ligjit janë parime themelore të administrimit të financave publike”, shprehet ajo.
Meksi nënvizon se Kuvendi, si institucioni që ushtron kontrollin parlamentar dhe miraton aktet normative të Këshillit të Ministrave, duhet të shqyrtojë nëse në këtë rast janë respektuar kërkesat kushtetuese dhe ligjore për përdorimin e fondit rezervë.
Sipas saj, publikimi i aktit normativ e bën edhe më të domosdoshëm një sqarim institucional mbi bazën ligjore të kësaj vendimmarrjeje dhe arsyet që justifikojnë përdorimin e këtyre fondeve.
“Një shqyrtim i plotë, transparent dhe objektiv është thelbësor për të garantuar ligjshmërinë, mbrojtjen e interesit publik dhe forcimin e besimit të qytetarëve në administrimin e fondeve publike”, thekson ish-ministrja.
Në fund të reagimit, Meksi shprehet se në një shtet të së drejtës çdo përdorim i fondeve publike duhet të jetë jo vetëm i ligjshëm, por edhe i arsyetuar, proporcional dhe në funksion të interesit publik.
“Vetëm një shqyrtim serioz, transparent dhe të bazuar në Kushtetutë dhe ligj garanton se çdo vendimmarrje që prek fondet publike i shërben interesit të qytetarëve, forcon besimin te institucionet demokratike dhe mbron parimet e shtetit të së drejtës”, përfundon ajo.
Postimi i plotë:







