Ballina Kosovë Grupi “Anti-Abdixhiku” në LDK pretendon se siguroi firmat për Kuvendin e Jashtëzakonshëm

Grupi “Anti-Abdixhiku” në LDK pretendon se siguroi firmat për Kuvendin e Jashtëzakonshëm

68
0

Nisma e marrë nga një grup i politikanëve seniorë në LDK për shkarkimin e kryetarit të kësaj partie, Lumir Abdixhiku, po “përparon” me sukses.

Kështu të paktën pretendon një burim i afërt me grupin e “Anti-Abdixhiku”, i cili i ka thënë se nënshkrimet e nevojshme të delegatëve për ta thirrur Kuvendin e Jashtëzakonshëm të partisë, në të cilën ky organ i Lidhjes Demokratike do të deklarohej për largimin ose jo të liderit aktual, janë siguruar.

Sipas tij, tashmë janë mbledhur një e treta e “firmave” pro kësaj nisme, që sipas statutit të partisë, mjaftojnë për ta thirrur Kuvendin.

Burimi në fjalë tha se tashmë po punohet në sigurimin e “50 plus 1” për qind të votave të delegatëev të Kuvendit, sa janë të domosdoshme në Kuvend, për ta shkarkuar kryetarin.

Ai ka thënë se pret që edhe këto nënshkrime të sigurohen, e pastaj të caktohet data për Kuvendin e Jashtëzakonshëm.

Kp raportoi ekskluzivisht të dielën, se kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, që njëherazi është edhe kryetar i degës së LDK-së së këtij qytet, po e udhëheq këtë proces duke vizituar njësitë e partisë edhe në komunat tjera të vendit, për të kërkuar nënshkrimet e delegatëve për Kuvendin e votëbesimit ndaj Abdixhikut.

Kërkesa për largimin e tij vjen pas pakënaqësive brenda kësaj partie në lidhje me rezultatin e LDK-së në zgjedhjet e 7 qershorit.

Dega e Pejës, ajo e Lipjanit dhe një nga njësitë partiake të Prishtinës ishin të parat që fillimisht kërkuan dorëheqja e Abdixhikut. Ky i fundit, po atë ditë, la të kuptohet se nuk e lë pozitën në parti, duke ua kërkuar dorëheqjen pikërisht atyre që i thanë të lëshojë udhë në lidership të LDK-së.

Lidhja Demokratike, që u udhëhoq në zgjedhjet e 7 qershorit nga ish presidentja Vjosa Osmani, mori 16.69 për qind të votave në nivel vendi. Me këtë rezultat siguroi 18 deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Sipas Statutit të LDK-së, nënshkrimet e një të tretës së anëtarëve të Kuvendit nuk e shkarkojnë automatikisht kryetarin, por vetëm hapin rrugën për ngritjen formale të çështjes së votëbesimit.

Në përbërjen statutare të Kuvendit të LDK-së janë 355 delegatë të zgjedhur nga kuvendet e degëve, duke përfshirë edhe kryetarin aktual, Lumir Abdixhiku.

Ky i fundit, i mbijetoi një procesi të votëbesimit në Kuvendin e janarit të këtij viti, që u thirr pas rezultatit jo të kënaqshëm në zgjedhjet e 28 dhjetorit 205. Në këto votime LDK mori vetëm 13.24 për qind të votave të kosovarëve.