Daniel Gjura, zëvendësdrejtori i Kadastrës Dibër, që më herët ka mbajtur edhe postin e drejtorit, si dhe kandidoi për deputet nën siglën e PS në zgjedhjet e 2025, është arrestuar mbrëmjen e sotme nga policia.
Arrestimi i tij vjen pak ditë pasi policia e Dibrës goditi një skemë të dyshuar kriminale për tjetërsimin e paligjshëm të pronave në Dibër.
Burime për Boldnews.al bëjnë të ditur se momentalisht Daniel Gjura po merret në pyetje nga policia.
Daniel Gjura ishte shpallur në kërkim nga policia pasi ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim.
Kujtojmë se më 17 qershor, pas një hetimi 7-mujor, Policia ka ekzekutuar 14 masa sigurie ndaj punonjësve dhe ish-punonjësve të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si dhe ndaj disa personave të dyshuar se kanë përfituar nga falsifikimi i dokumenteve. Nga hetimet dyshohet se shtetasit me detyra aktuale dhe të mëparshme në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, Dibër, dhe noterja, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë falsifikuar dokumente dhe kanë kryer veprime të tjera administrative të kundërligjshme, me qëllim tjetërsimin e pronave të paluajtshme, në favor të shtetasit T. D. dhe familjarëve të tij.







