Ballina Politika Dështimi i rezolutës së përbashkët me PE, PS dhe PD akuzojnë njëra-tjetrën,...

Dështimi i rezolutës së përbashkët me PE, PS dhe PD akuzojnë njëra-tjetrën, ja qëndrimet

82
0

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë dalë me qëndrime diametralisht të kundërta pas dështimit të miratimit të rezolutës së përbashkët në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri–Bashkimi Europian, i mbledhur në Strasburg.

Sipas PS-së, deputetët socialistë dhe eurodeputetët mbështetën rekomandimet në favor të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ndërsa akuzuan deputetët demokratë se votuan kundër.

Deputetët e PD zbatuan urdhrin e Saliut, siç e kishin bërë me dije, duke votuar kundër Shqipërisë në BE”, thuhet në reagimin e socialistëve.

PS thekson se nuk paraqiti amendamente në tekstin e propozuar nga Sekretariati i KPSA-së, pasi atij i ishin bashkëngjitur Rezoluta e Parlamentit Europian për Shqipërinë dhe Rezoluta e miratuar me konsensus nga Kuvendi i Shqipërisë për procesin e integrimit europian.

Sipas socialistëve, përsëritja e përmbajtjes së këtyre dokumenteve, duke hequr pjesët që pasqyrojnë progresin e Shqipërisë, “nuk kishte as kuptim politik, as logjikë institucionale dhe as vlerë shtesë”. Ata shtojnë gjithashtu se kanë mbështetur një pjesë të amendamenteve të propozuara nga opozita, në frymën e konsensusit për procesin e integrimit.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike fajëson mazhorancën për mungesën e marrëveshjes, duke deklaruar se PS refuzoi më shumë se 30 amendamente të paraqitura nga opozita.

Nuk ka konsensus për rezolutën e përbashkët në Parlamentin Europian, pasi Partia Socialiste vendosi të refuzojë më shumë se 30 amendamente të propozuara nga Partia Demokratike, që morën edhe mbështetjen e eurodeputetëve”, thuhet në reagimin e PD-së.

Demokratët argumentojnë se amendamentet e tyre përmbanin kriteret dhe kërkesat kryesore për avancimin e procesit të integrimit europian dhe se refuzimi i tyre nga përfaqësuesit e mazhorancës çoi në mosmiratimin e rezolutës së përbashkët.