Një zjarr i madh pyjor që shpërtheu pasditen e së enjtes pranë Almerias, në rajonin e Andaluzisë në jug të Spanjës, ka shkaktuar një bilanc tragjik prej 12 viktimash, duke u bërë zjarri më vdekjeprurës në vend këtë vit. Sipas autoriteteve spanjolle, disa prej viktimave u gjetën të pajeta brenda automjeteve të tyre, ndërsa përpiqeshin t’i shpëtonin flakëve. Numri i të vdekurve tejkalon atë të të gjithë vitit 2025, kur nga zjarret humbën jetën tetë persona.
Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, shprehu “trishtim të madh” për pasojat e zjarrit dhe u përcolli ngushëllimet familjeve të viktimave. Ai u bëri thirrje ekipeve të emergjencës të veprojnë me “kujdes maksimal” gjatë operacionit të shuarjes së flakëve.
Rreth 150 zjarrfikës, të mbështetur nga pesë mjete të specializuara, luftuan gjatë gjithë natës për të vënë nën kontroll zjarrin, ndërsa në zonë pritet të dislokohet edhe Njësia Ushtarake e Emergjencave (UME), e specializuar në përballimin e fatkeqësive natyrore.
Autoritetet e Andaluzisë konfirmuan se banorët e disa zonave janë evakuuar. Një grua me djegie dhe një person tjetër i helmuar nga tymi janë dërguar në spital, ndërsa katër persona të tjerë morën ndihmë mjekësore në vendngjarje për probleme respiratore dhe djegie të lehta.
Rreth 50 banorë kaluan natën në një qendër kulturore të kthyer në strehë emergjente, ndërsa disa akse rrugore mbeten të mbyllura.
Sipas njoftimeve të para, zjarri dyshohet se nisi pranë kilometrës së 511-të të rrugës kombëtare N-340A, pasi një kabllo elektrike ra në tokë dhe ndezi bimësinë e thatë. Flakët u përhapën me shpejtësi për shkak të temperaturave të larta dhe erës.
Spanja po përballet me një valë të re të nxehti, ndërsa disa zona të Andaluzisë janë vendosur në alarm portokalli. Vendi konsiderohet një nga më të ekspozuarit ndaj pasojave të ndryshimeve klimatike, me temperatura që gjatë verës kalojnë shpesh 40 gradë Celsius, duke favorizuar shpërthimin e zjarreve shkatërruese.
Vetëm gjatë ditëve të fundit, disa zjarre të mëdha janë regjistruar në territorin spanjoll, përfshirë një në Katalonjë që dogji mbi 20 mijë hektarë tokë pranë Costa Brava, i cili tashmë është vënë nën kontroll.







