Ballina Aktualitet Goya Food në SHBA dhe goja e Lucës në Shqipëri

Goya Food në SHBA dhe goja e Lucës në Shqipëri

86
0

Ironikisht, fiks si kjo ditë por 6 vjet më parë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës zuri fill një nga casuset me interesante të pasojave që mund të ketë mpleksja e biznesit me politikën. Gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë, drejtori ekzekutiv i Goya Foods, Robert Unanue do të deklaronte se Shtetet e Bashkuara janë me të vërtetë të bekuara që kanë Donald Trumpin për president.

Goya Foods është kompania më e madhe e ushqimeve me pronarë hispanikë në Shtetet e Bashkuara. E themeluar në vitet 30 nga një çift emigrantësh spanjollë, në fillim të kësaj dekade kompania kishte një xhiro prej rreth 1.5 miliardë dollarësh dhe mbi 4 mijë punonjës. Por mjaftoi vetëm një koment politik i drejtorit të saj ekzekutiv që mbi Goya Foods të niste një rebesh kritikash në shkallë kombëtare.

Komentet e Unanue nxitën thirrje për bojkot publik në mediat sociale, i cili u mbështet nga figura të ndryshme publike latino-amerikane, përfshirë kongresmenë demkratë, ish kandidat për presidentë dhe artistë. Në përgjigje, Unanue deklaroi se kjo ishte një “shtypje e fjalës së lirë” dhe nuk pranoi të kërkonte falje për komentet e tij. (Lexo ketu)

Në krahun tjetër, mbështetësit e kompanisë nisën një fushatë GoFundMe që mblodhi para për të blerë produkte Goya dhe për t’i dhuruar ato për familjet që ishin vënë në vështirësi financiare nga bllokimi pandemik i ekonomisë.

Ndonëse thirrjet e bojkotit nuk arritën të shkaktonin dëme financiare mbi kompaninë, Unanue do të mpleksej sërish me politikën, këtë herë edhe më rëndë. Në ditën e inaugurimit të Joe Biden si president, pas zgjedhjeve të vitit 2020, Unanue do të deklaronte se fitorja e tij ishte e paverifikuar dhe se në SHBA po afrohej një luftë.

Një javë më vonë bordi i kompanisë vendosi të censurojë Unanuen të fliste më publikisht. Kompania arsyetoi se deklaratat e Unanue-s “rrezikuan të ardhmen e kompanisë dhe jetën e disa prej aksionerëve të saj”, dhe se polemika pas paraqitjes së tij në Shtëpinë e Bardhë nuk kishte qenë e mirë për biznesin. Madje shumica e bordit kishte kërkuar shkarkimin e mënjëhershëm të CEO-s, por rregulloret e biznesit në pronësi të familjes nuk e lejonin këtë. (Lexo ketu)

Në Shqipëri, varianti i Unanues, por në version më të përkeqësuar është Gjergj Luca. Pronari i Rozafa Fish nuk mjaftohet vetëm me mbështetjen e hapur të qeverisë ashtu si Unanue për Trump, por ai sulmon opozitën, tall publikisht kritikët e Edi Ramës dhe së fundmi edhe protestuesit duke i quajtur ata injorantë, hiçe apo dhe turp. (Shiko ketu)

Ky portal është kundër çdo sulmi të organizuar ndaj biznesit, përfshirë dhe praktikën e revieë bombing. Dhe Gjergj Luca si biznesmen meriton respekt, pasi falë iniciativës së tij sipërmarrëse ka ngritur një kompani e cila krijon aktivitet ekonomik në rendin e 20 milionë eurove dhe punëson me qindra apo ndoshta mijëra njerëz. Përveç videos së turpshme me të miturit në punë.

Por kostumi i biznesmenit është i papajtueshëm me atë të militantit të egër politik. Ka një arsye se pse kompanitë e mëdha në SHBA apo Europë, përgjithësisht qëndrojnë larg komenteve dhe luftës politike. Arsyeja është pikërisht ajo që po i ndodh kompanisë Rozafa.

Nëse Gjergj Luca do të ishte CEO-ja i një kompanie në Perëndim, tashmë atë do ta kishin shkarkuar të paktën 7 herë. Por ne realitetin e Shqipërisë, ku bizneset janë në pronësi individuale, pronarët duhet të llogarisin vet përfitimet dhe kostot e të qënit vasalë të qeverisë dhe përdorimit të fuqisë së biznesit të tyre për qëllime politike.

Përfitimet vijnë në formën e ligjeve favorizuese të naftës pa taksa, faljes së tokës dhe aseteve publike e kështu me radhë. Ndërsa fatura është ajo e qytetarëve të zemëruar, që të neverisin dhe të bëjnë revieë bombing.

Ndaj nuk mund të marrësh dot përfitimet si politikan dhe pastaj të viktimizohesh si biznesmen. Aq me tepër të nxjerrësh drejtorin e policisë si lolo për të kërcënuar penalisht njerëzit që bëjnë vlerësime në internet, kur Shqipëria nuk ka as bazë ligjore për këtë. Për më tepër, në SHBA ku ishte dhe baza ligjore, nuk turrën policinë për të kërcënuar ata që bënë thirrje për bojkotin e Goyas, por i qepën gojën Lucës së tyre./Kapitali