Përfaqësimi i Shqipërisë në Komitetin Parlamentar të Stabilizim Asociimit (KPSA) në Strasburg është shoqëruar me përplasje të forta mes mazhorancës dhe opozitës, si dhe me ironi të hollë nga ana e ndërkombëtarëve. Gjatë diskutimeve mbi buxhetin dhe shpenzimet qeveritare, eurodeputetët nuk kanë kursyer batutat lidhur me koncertet e kushtueshme në Shqipëri, duke ironizuar se meqenëse shteti ka aq shumë para, ata presin t’u sigurohen bileta falas për performancën e Kanye Ëest.
Përtej batutave, situata në tryezën e bisedimeve paraqiti një ndarje të thellë politike. Delegacioni i opozitës u paraqit me 32 amendamente thelbësore të hartuara së bashku me përfaqësues të Parlamentit Europian. Këto amendamente synonin të ngrinin shqetësime reale mbi shtetin demokratik, përfshirë zgjedhjet e lira, pavarësinë e drejtësisë, korrupsionin, krimin e organizuar dhe lirinë e medias.
Pavarësisht mbështetjes që këto amendamente morën nga vetë europarlamentarët, blloku i deputetëve të Partisë Socialiste shqiptare votoi në mënyrë absolute kundër tyre. Sipas Igli Carës që ishte i ftuar në një intervistë në Syri tv, të 7 votat e mazhorancës hodhën poshtë çdo propozim thelbësor, duke u përpjekur ta paraqesin ngritjen e këtyre shqetësimeve si qëndrime kundër anëtarësimit në BE.







