Ish-trajneri i Tottenhamit dhe Celticut, Ange Postecoglou, ka nisur zyrtarisht aventurën e tij te Al-Nassr, pasi mbërriti në Riad për të marrë drejtimin e kampionëve në fuqi të Arabisë Saudite.
Trajneri australian, i cili pasoi Jorge Jesusin, ka nisur tashmë përgatitjet me skuadrën e mbushur me yje, në krye me Cristiano Ronaldon, për mbrojtjen e titullit në sezonin e ardhshëm.
Një sfidë e re në Riad
Postecoglou ka shprehur entuziazmin e tij për marrjen e drejtimit të Al-Nassr, duke theksuar se gjatë gjithë karrierës ka kërkuar sfida dhe ambiente të reja.
Pas nënshkrimit të një kontrate dyvjeçare, 60-vjeçari u zgjodh përpara kandidatëve të tjerë të njohur, përfshirë Roberto Martinezin.
“Gjatë gjithë karrierës sime më ka pëlqyer të marr përsipër sfida të reja, të punoj në gara të ndryshme, me njerëz të rinj dhe të rritem përmes këtyre përvojave”, tha Postecoglou.4
“Kjo është një tjetër mundësi për ta testuar veten në një ambient, vend dhe skuadër të re.”
Ai theksoi se, ndryshe nga disa aventura të mëparshme ku kishte marrë drejtimin e skuadrave në vështirësi, këtë herë po trashëgon një ekip fitues dhe synimi është të vazhdojë suksesin.
Sfida e Ronaldos dhe rritja e ligës saudite
Një nga aspektet më të rëndësishme të detyrës së re të Postecoglou do të jetë puna me pesë herë fituesin e “Topit të Artë”, Cristiano Ronaldo.
Australiani dëshiron të sjellë një stil argëtues dhe sulmues të futbollit në “Al-Awwal Park”, në një kampionat që gjatë viteve të fundit ka tërhequr shumë yje dhe është bërë gjithnjë e më konkurrues.
“Edhe unë kam shumë ambicie dhe jam i lumtur që edhe klubi i ka. Kjo është arsyeja pse jam këtu”, tha ai.
“Kam punuar shumë në Azi dhe vij nga kjo pjesë e botës. Edhe kur isha në Evropë, gjithmonë kam thënë se suksesi në Azi nuk është aspak i lehtë.”
“E di sa të vështira janë garat dhe sfidat. Liga saudite është rritur jashtëzakonisht shumë gjatë viteve të fundit dhe tani ka katër, pesë apo gjashtë klube shumë konkurruese që duan të fitojnë. Edhe Liga e Kampionëve Elite është një garë shumë e vështirë.”
Synon të ndërtojë mbi suksesin e Jorge Jesus
Postecoglou merr drejtimin e një klubi që aktualisht ndodhet në majën e futbollit saudit, pas fitimit të titullit të parë kampion në shtatë vjet.
Ai vlerësoi punën e paraardhësit të tij, Jorge Jesus, por theksoi se synimi tani është që Al-Nassr të ngrihet në një nivel edhe më të lartë gjatë sezonit 2026-27.
“Jorge Jesus bëri një punë të jashtëzakonshme sezonin e kaluar duke fituar kampionatin. Tani klubi është gati të kalojë në nivelin tjetër dhe kjo është arsyeja pse jam këtu”, deklaroi Postecoglou.
“Çdo vit është një fillim i ri. Kam pasur shumë suksese në karrierë, por çdo sezon e nis me të njëjtin mendim: dua që ky të jetë viti më i mirë.”
“Do të argëtohemi dhe do të luftojmë për trofe”
Postecoglou njihet për aftësinë e tij për të fituar trofe dhe sqaroi se ambicia e tij nuk lidhet vetëm me sezonin e dytë në një klub, siç është interpretuar shpesh në të kaluarën.
Ai theksoi se kërkon sukses çdo sezon, por po aq e rëndësishme për të është edhe mënyra se si skuadra luan dhe fiton.
“Për mua nuk ka rëndësi nëse është viti i parë, i dytë apo i tretë. Çdo vit që drejtoj një skuadër, dua të fitoj trofe.”
“Por nuk ka të bëjë vetëm me fitoren. Ka rëndësi edhe mënyra se si fiton dhe mënyra se si luan futboll. Edhe kjo është shumë e rëndësishme për mua.”
“Jam jashtëzakonisht i emocionuar që jam këtu. Është privilegj dhe nder të drejtoj një klub kaq të madh. Do të argëtohemi këtë sezon, do të lëmë gjurmë dhe do të përpiqemi të jemi sa më të suksesshëm, në një mënyrë që të gjithë ta shijojnë.”







